KMDLNj ka reaguar pasi Komisioni i Venicias e ka kthyer procesin e Vettingut me gabime në Ministrinë e Drejtësisë.
KMDLNj përmes një komunikate për medie e sheh si prioritet Vettingun e vlerësimit të performancës profesionale të niveleve më të larta të sistemit prokurorial dhe gjyqësor kurse Vettingun për figuren e sheh si shpatë me dy teha dhe si mundësi për keqpërdorim ndërkaq
Komunikata e plotë:
Të dielen e shkuar, në kohë pushimi, ZK – së paralajmëroi një konferencë të jashtëzakonshme shtypi për ora 13.30, pa treguar arsyet pse mbahet kjo konferencë. Në konferencë dolën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Në këtë konferencë e informuan opinionin , më vonë doli të jetë dezinformatë, se Komisioni i Venecias ka dhënë dritë jeshile për të filluar me Vettingun dhe Zyrën Kombëtare për Konfiskim të Pasurisë, armë të përdorura dhe të stërpërdorura gjatë fushatës zgjedhore në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Po këto premtime elektorale u sforcuan nga MD gjatë tërë kohës duke lënë përshtypje se diçka e madhe po ndodhë në Kosovë në fushën e reformave në sistemin e drejtësisë e duket se po del një bllof i mirëmenduar për manipulim me opinionin dhe kërcënim për opozitën që të jetë bashkëpunuese ose , në të kundërtën i mori lumi . Komisioni i Venecias pastaj doli me një raport ku përfshiheshin rekomandimet për Vettingun i cili u pranua vetëm si propozim dhe mundësi e pjesshme kurse , formimin e Byros për Konfiskim , në formën si është propozuar e konsideroi se i shkelë rëndë të drejtat e njeriut dhe , si i tillë është i papranueshëm. KMDLNj – vlerëson se procesi i Vettingut për Kosovën është jo vetëm i nevojshëm por i domosdoshëm dhe në këtë kontekst përkrahë nismën dhe përpjekjet edhe për një Vetting të pjesshëm , ashtu siç edhe ka rekomanduar Komisioni i Venecias që do të bëhej përmes ndryshimeve të duhura ligjore.
Nga tri shtyllat e Vettingut , KMDLNj –ë e sheh si prioritet Vettingun e vlerësimit të performancës profesionale të niveleve më të larta të sistemit prokurorial dhe gjyqësor kurse Vettingun për figuren e sheh si shpatë me dy teha dhe si mundësi për keqpërdorim ndërkaq , për këtë kohë Vettingu që heton pasurinë e atyre që do t’i nënshtrohen këtij procesi nuk e sheh si diçka që duhet t’i kushtohet një urgjence për faktin se pjesa dërrmuese e prokurorëve dhe gjykatësve kanë një jetë mesatare, nuk kanë ndonjë pasuri siç i kanë në shtetet tjera dhe kryesisht jetojnë nga të ardhurat e tyre.
Nëse Shqipëria është marrë si pikë referuese, e duket se është marrë , atëherë është një dallim i pakrahasueshëm i pasurisë së deklaruar dhe të padeklaruar të prokurërëve dhe gjykatësve të këtyre shteteve ku ata të Kosovës , krahasuar me ata të Shqipërisë duket se janë varfanjakë .
Realisht , në Kosovë askush nuk e kundërshton një Vetting sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe , në këtë kontekst KMDLNj –ë , shpreson , pret dhe thërret edhe opoziten që të bashkëpunojë në mënyrë që të përshpejtohet me funksionalizimin e këtij procesi. Ndërkaq , sa i përket themelimit të Byros për Konfiskim , KMDLNj –ë vlerëson se duhet të kthehet në pikën zero dhe se mund të mendohet për themelim vetëm kur të shterren të gjitha mundësitë ligjore që janë sot në fuqi , dhe , nëse do të zbatoheshin në përpikëri atëherë as që do të ketë nevojë për themelim të kësaj Byroje. Sot , në Kosovë ka mekanizma të bollshëm ligjorë që mundësojnë konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme prandaj duhet që këto mekanizma të fuqizohen si edhe të mbikëqyren , duke vlerësuar performancën e tyre .
Prandaj , çdo përpjekje për anashkalim dhe pezullim të këtyre mekanizmave e që bëhet kryesisht për shkaqe politike , pashmangshëm e ka për qëllim formimin e një sistemi paralel që do të keqpërdorej për shkaqe politike dhe për qëllime politike.
Deklaratat publike të nismëtarëve të kësaj iniciative e që në shumë raste ishin të papërgjegjshme e kompromitojnë që në fillim këtë nismë edhe në rast se keni pasur qëllim të mirë.
Procesi i Vettingut në Kosovë e që KMDLNj –ë e konsideron si të domosdoshëm duhet të ketë një përmbajtje që përjashton çdo diskriminim në baza politike , partiake dhe të tjera , në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut , në bashkëpunim të plotë me opozitën dhe pas një dëgjimi publik. Sigurisht se duhet të merren parasysh edhe specifikat e Kosovës dhe mundësitë për zbatim. Procesi i Vettingut dhe forcimi i mekanizmave ekzistues për konfiskim të pasurisë së krijuar në mënyrë të paligjshme duhet të bëhet pas një konsensusi politik dhe shoqëror dhe , në asnjë mënyrë nuk mund dhe nuk duhet të ndërlidhet me intereset e një force politike që është në pushtet , pavarësisht se kush është ajo .
Këto nisma që janë , sa të dobishme aq edhe të domosdoshme , në asnjë mënyrë nuk mund të ndërlidhen dhe të kushtëzohen me premtimet që janë dhënë gjatë fushatës zgjedhore sikur që edhe sot po veprohet duke deklaruar se ka qenë premtim dhe zotim publik gjatë fushatës zgjedhore të subjektit që i ka fituar zgjedhjet dhe në këtë kontekst duhet të përmbushet ky zotim pavarësisht se rrethanat mund të kenë ndryshuar , aq më parë që pa opoziten dhe kundër opozites dështimi është i garantuar sikur që as ndërkombëtarët nuk do të pranojnë që miratimi i ligjeve aq të ndjeshme sikur që është Vettingu apo Ligji për konfiskim të pasurisë të bëhen për shkak të një premtimi elektoral dhe në kundërshtim me standardet ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut . Asnjë ligj që i rregullon këto çështje shumë të ndjeshme ku mundësia e manipulimit dhe diskriminimit sikur edhe hakmarrja politike thuaj përligjet , nuk mund të bëhet sipas repizmit : “ të ikë Lumezi e të vijë Elezi “ .
Në këtë kontekst KMDLNj –ë e sheh edhe bllokimin e procesit të emërimit të kryeprokurorit të Shtetit përmes dekretimit të presidentes që ka krijuar një ngërç i cili nuk kontribuon në stabilizimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës aq më parë që procesi nuk mund të kthet në pikën zero për faktin që KPK –ës përsëri do ta propozojë të njëjtin kandidat për dekretim përjashtuar këtu rastin nëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës , që është e shquar për raport klientelist me të gjitha pushtetet nuk e merr ndonjë vendim që e arsyeton ndërhyrjen politike dhe klienteliste në këtë proces.