Monitorues të KMDLNj – së vizituan deputetin Shkumbin Demalija i cili po mbahet në ndalim policor 48 orësh në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë. I njejti i pohoi KMDLNj – së se ai është ftuar nga policia me telefon një ditë më herët që të shkojë në stacion policorë dhe është njoftuar për arsyen e thirrjes. Më datë 27.09.2018, në ora 15:00 është paraqitur vullnetarisht në stacion policorë. Aty është marrë në pyetje nga dy hetues policorë dhe të gjitha procedurat janë përfillur në përputhje me ligjin, pohoi z. Demalija.
Gjatë qëndrimit të tij në Qendrën e Ndalimit është njoftuar me të gjitha të drejtat që i takojnë dhe u shpreh se nuk ka asnjë vërejtje në sjelljen e stafit të uniformuar, as gjatë marrjes në pyetje, as policëve të cilët e kanë transportuar dhe as ata të Qendrës së Ndalimit. Ai pohoi se gjatë deklarimit të tij para policëve hetues në fund ka nënshkruar procesverbalin por nuk ka marrë një kopje të tij. Atij i është treguar urdhëri për ndalim. I ndaluari Demalijaj ka angazhuar avokatin e tij që e përfaqëson. Ai është shprehur se nuk ka probleme shëndetësore pasi është pyetur edhe nga oficerët e Qendrës për Ndalim. KMDLNj konstaton se gjatë arrestimit, marrjes në pyetje dhe mbajtjes në Qendrën e Ndalimit, ndaj z. Demalija janë respektuar të drejtat e parapara me ligj për persona të privuar nga liria.
KMDLNj e vlerëson angazhimin e stafit në Qendër të Ndalimt përkundër kushteve jo të mira të punës e që këto kushte nuk janë të mira as për personat e ndaluar. Për kushtet jo të mira në Qendrën e Ndalimit për të punësuarit dhe ata që mbahen , KMDLNj ka kërkuar nga ministri për MPB , z. Bejtush Gashi sikur edhe nga drejtori i përgjithshëm i PK , z. Rashit Qalaj të ndërmarrin të gjitha masat që ato të përmirësohen kurse , si zgjidhje më të mirë e sheh zhvendosjen në një objekt tjetër.
Edhe më heret por edhe tani , KMDLNj kërkon që masa e arrestit me burg të shqiptohet vetëm si masë e skajshme dhe kur shterren të gjitha masat tjera dhe të mos të shndërrohet në rutinë dhe të keqpërdoret për qëllime politike apo të tjera. KMDLNj kërkon që të mos përdoren standarde të dyfishta gjatë shqiptimit të masave të arrestit dhe , në radhë të parë të merret parasysh rrezikshmëria e një deklarate publike apo interviste të dhënë mediave. KMDLNj është kundër kërcënimi që iu bëhet , qoftë bartësve të posteve institucionale , qoftë qytetarëve prandaj këtu e sheh përdorimin e standardeve të dyfishta sepse ka shumë raste kur kërcënimet ndaj qytetarëve të Kosovës kanë përfunduar me fatalitet shkaku se nuk janë marrë masat parandaluese ndaj atyre që kanë kërcënuar.
Për KMDLNj është krejtësisht i papranueshëm , i kundërligjshëm dhe i është i dënueshëm kërcënimi që i bëhet Prokurorisë së Shtetit nga protestuesit që kërkojnë të anulohet aktakuza për veteranë mashtrues duke iu dhënë afat deri më 8 tetor 2018 institucioneve përkatëse. Prokuroria dhe Gjyqësori duhet ta bëjnë punën e tyre pa iu nënshtruar ndonjë ndikimi të mundshëm politik apo kërcënimi sikur që Prokuroria e Shtetit duhet të fillojë hetimet ndaj atyre që manipuluan me lista duke i futur në të njëjtën listë veteranët e vërtetë të UÇK-së dhe veteranët mashtrues , duke i fyer ata dhe familjet e tyre dhe duke i nënshtruar një linçimi publik.