Bordi i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka shqyrtuar ankesën e babait të Astrit Dehari, Avni Dehari kundër Gazetës Express i cili publikoi videon e pamjeve nga burgu i Prizrenit në momentin kur ishte gjetur pothuajse pa shenja jete djali i tij.
Në njoftimin e KMShK-së thuhet se në mbledhjen e mbajtur dje u konstatua se publikimi i videos nga korridoret e burgut në Prizren është nisur nga fakti se ai ka paraqitur interes për publikun, dhe se është një video e vërtetë e kamerave të burgut.
“Ata si media e kanë kryer punën e vet profesionale duke mos e paragjykuar se çfarë vdekje ishte ajo sepse për këtë nuk vendosin mediat por organet përgjegjëse. Gjithashtu, u konstatua se në videon e përmendur, Gazeta Express nuk ka publikuar skena të vrazhda me të cilat do të rëndoheshin ndjenjat e familjarëve dhe të publikut”, thuhet në njoftim.
Mirëpo kryeredaktori i gazetës “Koha Ditore” Agron Bajrami ka kërkuar vazhdimisht që për këtë çështje të jap vlerësime edhe dikush nga Komisioni i Pavarur për Media ndërkohë që kjo nuk ka ndodhur.
Të indinjuar nga ky fakt, kryeredaktori Bajrami, kryeredaktori i portalit “InfoSot”, Fatlum Rrahmani dhe ai i portalit “Arbresh.info”, Avni Jashari, e kanë lëshuar sallën në shenjë pakënaqësie.