Në listën e koalicionit AAK-PSD gjenden emrat e 13 personave të cilët kanë aktakuza aktive në gjykatat e Republikës së Kosovës. Përderisa kandidat të VV-së janë tre persona që kanë aktakuzë për hedhjen e gazit lotsjellës, kurse në listën e PDK-së ma aktakuzë aktive janë dy kandidatë, dy kandidatë me akatakuza i ka edhe Nisma.
Këtë e ka konfirmuar për Ekonomia Online, Gëzim Shala, nga Instituti Demokratik i Kosovës (IKD). Ai thotë se në PDK dhe LDK nuk ka persona të cilët kanë aktakuzë për korrupsion, por sipas tij, por shqetësues është numri i madh te lista e koalicionit AAK-PSD.
“Nëse shohim listën zgjedhore të koalicionit AAK-PSD atëherë kemi gjithsej 13 persona të cilët kanë aktakuza aktive në gjykatat e Republikës së Kosovës. Fatmirësi është që Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk kanë fut njerëz të cilët kanë aktakuzë për korrupsion për deri sa PDK në përbërjen e saj ka 2 kandidatë të cilët kanë aktakuza aktive të cilët janë Xhavit Haliti dhe Mërgim Lushtakum, përpos kësaj edhe partitë e tjera kanë kandidat që kanë probleme me ligjin”.
“Nisma Socialdemokrate ka dy kandidat që kanë probleme me ligjin, Lëvizja Vetëvendosja (LVV) kryesisht për rastet e gazit lotsjellës, po ashtu edhe Partia Euroatlantike e Kosovës. Ky fakt është i mirëseardhur në të cilën nuk janë përfshirë kandidatët të cilët nuk kanë aktakuza për korrupsion. Por shqetësues është numri i madh tek lista e AAK-PSD”.
Shala më tej ka shtuar është i nevojshëm dekriminalizimi i politikës në mënyrë që të listat zgjedhore të mospërfshiren persona që kanë probleme me ligjin, sidomos ata të cilët akuzohen për veprat korruptive.
“Realisht Instituti i Kosovës për Drejtësi (IDK) tash e disa vite ka kërkuar edhe dekriminalizimin e politikës në mënyrë që në listat e kandidatëve për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës mos të ketë persona të cilët kanë edhe probleme me ligjin”.
“Në këtë mënyrë është e një rëndësie jetike që në këto lista të mospërfshihen persona të cilët kanë aktakuza veçanërisht aktakuza të cilat lidhen me rastet e korrupsionit apo edhe të kenë apo edhe të kenë dënime nga e kaluara në mënyrë që mos të kemi një kabinet qeveritar apo një legjislaturë siç ishte kjo e fundit, ku një numër i madh i tyre kishin probleme me ligjin dhe është e një rëndësie jetike që këta kandidat të mos futen në listën zgjedhore”.
Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLSP) po e vlerëson pozitive që disa prej partive të mëdha kanë dorëzuar lista në të cilat nuk përfshihen persona me afera korruptive.
“Kjo tregon që disa nga partitë e mëdha u kanë ofruar qytetarëve të Kosovës mundësi që me 6 tetor të mund të zgjedhin ndërmjet përfaqësuesve politik ose ndërmjet kandidatëve për përfaqësues politik të cilët janë pa afera korruptive dhe në këtë mënyre mund të krijohet një parlament i pastër”.
Ajo thotë që LDK-ja dhe LVV-ja janë prej partive që kanë listat e pastra dhe në të cilat nuk përfshihen persona me afera korruptive ose kandidatë të akuzuar për korrupsion.
“Nëse flasim për çështjen e veprave korruptive apo të kandidatëve të akuzuar për korrupsion, atëherë lista të pastra kanë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Sipas saj, mbetet shqetësues fakti që koalicioni AAK-PSD kanë ofruar një listë me kandidat të cilët janë të dyshuar për afera korruptive.
“Është shqetësues fakti që një koalicion si ai i AAK-së dhe PSD-së kanë ofruar një listë me kandidat të cilët janë të dyshuar për këso lloj aferash dhe një vepër e tillë tregon jo seriozitetin e tyre në premtimin e luftimit të korrupsionit, krimit të organizuar ose luftimit të kapjes së shtetit”.
Hoxha thotë se disa prej partive kanë arritur t’i largojnë ose mos t’i përfshijnë kandidatët të cilët janë të akuzuar për vepra korruptive.
“Disa prej partive kanë arritur ti largojnë ose mos ti përfshijnë personat të cilët janë të akuzuar për vepra korruptive, mirëpo ka edhe parti të tjera të cilat kanë përfshi persona të cilët janë të akuzuar mirëpo jo për vepra korruptive. Kjo tregon që në përgjithësi nuk është arritur që të ofrojnë lista të cilat janë të pastra në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, do të thotë ka ende persona të cilët kanë qenë të akuzuar ndonjëherë ose janë përballë me ligjin për vepra korruptive”.
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kanë dorëzuar aplikimin për certifikim dhe listën e kandidatëve gjithsej 25 subjekte politike, prej tyre janë 20 parti politike, katër koalicione dhe një kandidat i pavarur.