Dy ditë pas zgjedhjeve parlamentarë në Gjermani, ku CDU-ja e Angela Merkel fitoi shumicën e votave, por do t’i duhet të formojë një koalicion për të qeverisur vendin, shumë pyetje janë ngritur mbi ndikimin që do të ketë rezultati i zgjedhjeve të së dielës në bllokun europian, e sidomos në procesin e zgjerimit.
Tobias Flessenkemper, drejtues i projektit për Ballkanin në Qendrën Ndërkombëtare të Formimit Europian, CIFE, mendon se nuk do të ketë ndryshim të kursit.
As vetë presidenca e Trumpit, thotë ai, Brexit-i apo zgjedhja e Macron nuk mund të prodhojnë ndryshime rrënjësore të linjës së ndjekur. Flessenkemper beson se një koalicion i mundshëm i Merkelit me liberalët dhe të gjelbrit nuk është aspak lajm i keq për shtrirjen e BE-së.
“Të dyja këto parti të vogla janë gjerësisht pro-BE-së. Të gjelbrit kanë qenë gjithmonë shumë të interesuar dhe mbështetës ndaj Ballkanit”, thotë Flessenkemper.
Vazhdimësi të politikave të deritanishme pret në masë të madhe edhe kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.