Koalicioni për familje është dënuar me 7 mijë e 500 euro, për gjuhën e përdorur ndaj komunitetit LGBTQ+, që sipas PZAP-së është urrejtëse ndaj një komuniteti të caktuar dhe ka për qëllim ofendimin, denigrimin dhe përçmimin e këtij komuniteti.
Shkak ishte një deklaratë publike e Eman Rrahmanit, udhëheqësit të listës për deputetë të këtij koalicioni.
Dy organizata të shoqërisë civile, CEL Kosova dhe Dylberizëm, u ankuan për gjuhën e Rrahmanit.
“Me datë 28.01.2025 PZAP ka pranuar një ankesë nga Organizata Joqeveritare CEL Kosova dhe Dylberizëm me seli në Prishtinë, bazuar në argumentet e paraqitura, duke kërkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) që sipas parashtruesit të ankesës kjo ankesë synon të mbrojë të drejtat e barabarta të qytetarëve të Kosovës dhe të promovo një mjedis zgjedhor të lirë nga diskriminimi dhe gjuha e urrejtjes. Veprimet e Koalicionit për Familja janë një precedent i rrezikshëm që kërkon reagim të menjëhershëm dhe të vendosur nga institucionet përkatëse.”, thuhet në arsyetimin e vendimit të PZAP.
Më tej thuhet në ankesë se kandidati Eman Rrahmani , nga radhët e subjektit politik Koalicioni për Familjen, deklaratën publike e ka bërë më datë 27 janar 2025, gjatë hapjes së fushatës zgjedhore, të cilën e ka postuar në rrjetin social Facebook, duke theksuar se “Po thonë që nuk bon me ju thanë turp atyre që cenojnë familjen. Turp e marre, secilit, organizatë jo qeveritare që financon në degjenerimin e fëmijëve. Turp edhe marre secilës komunë e secilit kryetar komune që I financon këto organizata, me e prish familjen.”