Ndërkohë, partitë opozitare nuk morën fare pjesë në votim, meqë ishin kundër mënyrës së përpilimit të këtij projektligji.
Përderisa opozita insistonte se ai është hartuar në mospërputhje të plotë me programin qeverisës, pozita e pohonte të kundërtën. Kështu gjatë kësaj seance dyditore (e martë, e mërkurë) pati shumë diskutime, kundërshtime, akuza e kundërakuza mes pozitës e opozitës.
Megjithatë Kuvendi miratoi Marrëveshjen Financiare për projektin e konkurrueshmërisë dhe gatishmërisë për eksport ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.
Pos kësaj, deputetët votuan edhe për miratimin e projektligjit mbi masat doganore për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.
Menjëherë pas kësaj kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, përmbylli seancën, pa arritur të kalojë në parim projektbuxheti për vitin 2018. Seanca e njëjtë ishte ndërprerë edhe të martën pasi në Kuvend nuk pati kuorum.