Avokati i Ramush Haradinajt, Arianit Koci, e ka përjashtuar mundësinë e ekstradimit të kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në shtetin e Serbisë, por ka shtuar se kjo e fundit mund ta zvarrisë procesin dhe Haradinaj të mbahet në Francë për 40 ditë.
“Është bërë kërkesa më 16 dhjetor dhe 30 ditë nevojitet për t’u aprovuar kjo kërkesë prej Interpolit. Sa kam unë informacion, asnjë kërkesë deri më tani, Interpoli nuk ia ka refuzuar UNMIK-ut. Sot e kam kuptuar që është bërë kërkesa me 16 dhjetor dhe pritet që deri më 16 janar kjo të hiqet”, tha ai.
Ai madje thotë se Policia e Kosovës ka kërkuar nga Interpoli që nga listat e Serbisë, të largojë 20 persona, brenda të cilëve është edhe Haradinaj, dhe pret që kjo fshirje nga këto lista të ndodhë nga 16 janari.