Koci: Haradinaj do të lirohet

Prishtinë | 09 Shk 2017 | 11:07 | Nga

Një gjykate franceze në Colmar, pritet që të enjten, rreth orës 14:00 të nisë shqyrtimin e një kërkese të autoriteteve të Serbisë për ekstradim të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai u ndalua nga autoritetet franceze më 4 janar të këtij viti në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia përmes INTERPOL-it.

Avokati mbrojtës i Haradinajt, Arianit Koci, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se kërkesa për ekstradim është e pabazuar dhe do të refuzohet si e tillë.

“Nuk ka dilemë që kërkesa e Serbisë është kërkesë politike, këtu nuk kemi rast penal, prandaj unë besoj që kjo kërkesë e tyre do të refuzohet dhe zoti Haradinja do të lirohet. Nuk është e rastit që Serbia ka një inat ndaj zotit Haradaniaj, Serbia nuk mund t’ia fal kurrë z.Haradinaj angazhimin e tij për pavarësinë e Kosovës dhe luftimin e politikës gjenocidale të pushtetit të Millosheviqit”, ka thënë avokati Koci.

Ai ka shtuar se i gjithë ky proces ndaj Haradinaj do të përfundojë para datës 14 të këtij muaji.

“Zoti Haradinaj patjetër do të kthehet në Kosovë. Unë nuk besoj që gjykata franceze do të merr vendimin brenda ditës, por presim të premten ose javën tjetër, por unë besoj që para datës 14 të këtij muaji do të kryhet i gjithë ky proces”, ka theksuar avokati Koci.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njëherësh ish-kryeministri dhe aktualisht kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj në vitin 2012 ishte shpallur i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte nga një Gjykatë Ndërkombëtare për Krime Lufte në Ish Jugosllavi.

Rigjykimi në vitin 2012, u bë katër vjet pas një vendimi të së njëjtës Gjykatë e cila më 2008 e nxori të pafajshëm nga të gjitha akuzat që e ngarkonin për shkelje të ligjeve të luftës.

Ramush Haradinaj pati dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës më 8 mars të vitit 2005, vetëm disa muaj pas marrjes së detyrës. Ai ishte dorëzuar vullnetarisht në Gjykatën e Hagës, pasi Prokuroria e akuzoi atë dhe dy bashkë luftëtarët e tij, Idriz Balaj e Lahi Brahimaj, për krime lufte.

Ndalimi i Ramush Haradinajt nga policia franceze, nuk është veprimi i vetëm, pasi që ndalime të tilla të personave të kërkuar nga Serbia përmes INTERPOL-it, ka pasur edhe në të kaluarën.

Autoritet e Kosovës kanë thënë se kanë adresuar te faktori ndërkombëtar çështjen e fletë-arresteve të lëshuara nga Serbia ndaj qytetarëve të saj, por ka mundur të bëjë pak në këtë drejtim, ngase Kosova nuk është anëtare e INTERPOL-it dhe organizatave tjera ndërkombëtare të sigurisë.

Kosova e cila ka shpallur pavarësinë në shkurt të vitit 2008, kishte aplikuar për anëtarësim në INTERPOL në prill të vitit 2015, por që vitin e kaluar kjo organizatë suspendoi aplikacionin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare. (Rel)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme