Avokati mbrojtës i liderit të AAK-së, Arianit Koci, ka treguar përmes rrjetit social Facebook se të enjten do të mbahet seanca dëgjimore për Ramush Haradinajn.
Sipas Kocit, kërkesa për ekstradim është e pabazuar dhe një keqpërdorim i rëndë i të drejtës ndërkombëtarë nga ana e Serbisë.
Lexoni postimin e plotë të avokatit Koci:
Pasnesër prej orës 14.00 në Colmar, do të shqyrtohet kërkesa e Serbisë, për ekstradimin e z. Haradinaj.
Dua të theksoj që është evidente që kërkesa e Serbisë është politike.
Pse duhet Ministrja e Drejtësisë, Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, në kontinuitet të deklarohen në media, për këtë çështje?
Mos të harrojmë se Aleksandar Vuçiq ka qenë Ministër për Informacion në kohën e Millosheviqit dhe Ivica Daçiq ka qenë zëdhënës i partisë SPS.
Pushtetarët serb nuk do t’ia falin kurrë z. Haradinaj, anagazhimin e tij për pavarësinë e Kosovës dhe luftimin e politikës gjenocidale të pushtetit të Millosheviqit.
Sidoqoftë, kërkesa për ekstradim është e pabazuar, madje, edhe është një keqpërdorim i rëndë i të drejtës ndërkombëtare nga ana e Serbisë.
Haradinaj është liruar nga ana e Tribunalit të Hagës, dhe të gjitha pretendimet e Serbisë janë reciklim i atyre akuzave.
Ramush Haradinaj do të kthehet.
Asgjë s’e ndalë!