Avokati Arianit Koci ka thënë se ka informacione të sakta se shumë prej pretendimeve të raportit të Dick Martyt, mbi të cilat janë ngritur aktakuzat nga Dhomat e Specializuara, janë prej pretendimeve direkte të marra nga Serbia, e që nuk janë të vërteta, janë të falsifikuara. Ai beson se në gjykatë do të demantohen të gjitha këto.
“Më vjen keq që është konfirmuar aktakuza ndaj z. Thaçit, z. Kadri Veseli e të tjerëve, por kjo mjegull e krijuar me raportin e Dick Martyt duhet të pastrohet. Është ditur që prej momentit kur Marty ka deponuar këtë raport, se duhet të merremi me këtë çështje. Në fillim nuk është marrë seriozisht me këtë raport, tash po shihet se ka qenë serioze, edhe pse nuk ka asgjë të vërtetë. Kam informacione të sakta se shumë prej pretendimeve të këtij raporti janë direkt të marra prej Serbisë. Pra aty ka prova që nuk janë të vërteta, janë të falsifikuara, tani në gjykatë këto do të demantohen të gjitha”, ka thënë Koci për KTV-në.
Koci, që është avokat i licencuar nga Gjykata Speciale, ka thënë se është vonuar shumë çështja e aktakuzave, veçanërisht e asaj të presidentit Hashim Thaçi.
“Së pari prokuroria ka diskrecion të komunikimit me publikun. Hetimet janë të fshehta dhe është arsyeja pse ajo është e mbyllur. Por, në disa raste për të fituar besimin e publikut, prokuria duhet të jetë e hapur, sidomos te rasti i presidentit të Kosovës, z. Thaçi. Z. Thaçi nuk është vetëm Thaçi, por ka qenë president i Republikës së Kosovës. Në një mënyrë qytetarët kanë pas nevojë me ditë çfarë po ndodh me fatin e aktakuzës të deponuar ndaj tij. Kjo ishte arsyeja pse unë në dy tri raste e kam ngritur zërin për këtë punë. Fatmirësisht nuk zgjatën punë dhe tash treguan, e zbuluan këtë informacion, edhe pse mendoj se është dashur të zbulohet dhjetë ditë më parë. Besoj se është dashur të zbulohet më 24 tetor”, ka shtuar Koci.
Koci ka thënë se te rasti i presidentit tashmë të dorëhequr Hashim Thaçi dhe te kryetari i PDK-së, Jakup Krasniqi, ata nuk janë të arrestuar, por po shkojnë vullnetarisht në Hagë, dhe nuk vlen afati i paraqitjes 48 orë pas arrestimit para gjyqtarit të procedurës paraprake, si me rastin e Jakup Krasniqit.
“Sa i përket arrestimet e paraqitjes para gjyqtarit. Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, por edhe rregullit 52 dhe 92 të rregullores së procedurës e provave, nëse një person arrestohet është i obliguar brenda 48 orëve të paraqitet para gjyqtarit të procedurës paraprake. Prej mediave e kuptuam se z. Jakup Krasniqi është arrestuar. Dhe ai prej momentit kur e ka marrë vendimin e arrestimit, duhet të paraqitet brenda 48 orëve para gjyqtarit të procedurës paraprake. Te rasti i z.Thaçi e z. Veseli këta nuk janë arrestuar, shkojnë vullnetarisht në Hagë, nuk vlen afati 48 orë i arrestimit. Gjykata duhet të veprojë me një prioritet në këto raste, por për ta nuk vlen afati 48 orë si në rastin e z. Krasniqi. Ne kemi informacion se mbi 200 veta janë marrë në cilësi të dëshmitarit apo dyshuarit. Do të vazhdojmë mëtutje, nuk do të ngritën aktakuza ndaj çdo personi të dyshuar, ndaj disave do të pushohen hetimet. Presim aktivitet të shtuar të Prokurorisë. Kanë kaluar pesë vjet ende vetëm tash kanë filluar aktakuzat e para. Është zvarritë shumë puna e prokurorisë, e ka lënë shoqërinë kosovare pezull. Kemi interes të kryhen sa më shpejt procedurat e burrat dhe gratë tanë që janë të dyshuar të lirohen sa më shpejt, e besoj se shumica prej tyre do ta dëshmojnë pafajësinë”, ka thënë Koci.