BE-ja pret zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, duke përfshirë edhe marrëveshjen mbi formimin e komunave serbe.
Kjo, sipas mediave serbe, është thënë në Bruksel nga zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijancic para fillimit të një raundi të ri të dialogut teknik në mes të Beogradit dhe Prishtinës, i cili fillon më vonë këtë pasdite në Bruksel dhe vazhdon deri të mërkurën.
“Si gjithmonë, dhe për një kohë të gjatë, ne presim zbatimin e plotë të asaj që ishte rënë dakord në dialog. Kjo vlen edhe për çështjen e Asociacionit, si dhe marrëveshjeve të tjera, të tilla si energjia. Kjo është pritja jonë. Puna në këtë kuptim është intensifikuar. Këto takime në ditët në vijim janë dëshmi konkrete që jemi duke punuar”, citohet tu ketë thënë Kocijancic gazetarëve.
Ajo gjithashtu ka njoftuar se gjatë raundit të ri të dialogut teknik, i cili fillon sot, do të flitet për implementimin e marrëveshjeve tashmë të arritura në dialog.
“Në mënyrë të veçantë janë Asociacioni i Komunave Serbe, energjetika, menaxhimi i integruar i kufirit, ura në Mitrovicë dhe liria e lëvizjes”, ka njoftuar Kocijancic.
Ajo shtoi se pas dialogut tre-ditor në nivel teknik më vonë këtë javë në Bruksel, do të ketë një tjetër takim në kuadër të dialogut në mes të Beogradit dhe Prishtinës.
“Të premten, përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini ka thirrur presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin në një takim në nivelin më të lartë, ku ata do të diskutojnë normalizimin e përgjithshëm të marrëdhënieve, por edhe të shohim se si ka shkuar zbatimi i marrëveshjeve të dialogut”, njoftoi Kocijancic.
E pyetur nëse bisedimet teknike midis Beogradit dhe Prishtinës janë një lloj përgatitje për dialog në nivel të lartë politik, zëdhënësja e Komisionit Evropian ka sqaruar se takimet e grupit të punës janë të fokusuar veçanërisht në zbatimin e asaj që është rënë dakord.