Për shkak të dilemave se a është mbrojtja e detyrueshme për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare” sipas Kodit të Ri të Procedurës Penale, ka pasur diskutime mes prokurores Bukurie Gjonbalaj dhe gjykatësit Kushtrim Shyti në gjykimin ndaj Jakup Tërnaves, ish-drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Fushë Kosovës dhe të tjerëve të akuzuar për korrupsion.
Në këtë rast, Jakup Tërnava, drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Fushë-Kosovës, së bashku me Liridona Mustafa-Sadikun, Ejup Gërgurin dhe Fehmi Mustafën, po akuzohen për “Keqpërdorim të pozitës apo të autoritetit zyrtar”, kurse i akuzuari Bekim Sabedini po akuzohet për “Legalizim të përmbajtjes së rreme” dhe “Falsifikim të dokumenteve”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas nenit 56, paragrafit 1.3 të Kodit të Ri të Procedurës Penale, ku përcaktohet mbrojtja e detyruar thuhet se: “I pandehuri duhet të ketë mbrojtës në këto raste: 1.3. nga momenti i marrjes në pyetje për herën e parë për vepër penale të dënueshme me të paktën pesë (5) vjet burgim;”.
Lidhur me këtë çështje, është diskutuar pasi që gjykatësi Shyti konstatoi se ishin plotësuar kushtet për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor për këtë rast.
Në këto rrethana, prokurorja Gjonbalaj ka reaguar duke thënë se për veprën penale për të cilën po akuzohen Liridona Mustafa-Sadiku dhe Ejup Gërguri të cilët ishin pa avokat në këtë seancë, mbrojtja është e detyrueshme sipas Kodit të Ri.
Lidhur me këtë, gjykatësi Shyti tha se e kishte shikuar Kodin e Ri të Procedurës Penale dhe duke pasur parasysh se kjo vepër penale është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vite, sipas tij e kishte kuptuar që mbrojtja nuk është e detyrueshme.
Ndërsa, prokurorja Gjonbalaj tha se edhe ajo kishte pasur dyshime lidhur me këtë çështje, por që më pas këtë ia kishin sqaruar në trajnimin për risitë e Kodit të Ri.
Sipas saj, mbrojtja është e detyrueshme kur vepra penale është e dënueshme 5 vite e më shumë, andaj tha se e sheh të arsyeshme që ta informojë gjykatën se në atë trajnim edhe vet Admir Shala kishte thënë se “Po prokurore kena gabu me vet faktin që prej Kodit në fuqi janë 130 e sa vepra penale për të cilën e kanë mbrojtjen e detyrueshme”.
Kurse gjykatësi Shyti i është drejtuar të akuzuarve se “Vepra për të cilën ju akuzoheni është e dënueshme 6 muaj deri në 5 vjet, nuk është së paku 5 vjet, të paktën unë e kuptoj që vepra duhet të jetë e dënueshme 5 vjet, ka interpretim, ka koleg të mi gjyqtar, prokuror që mendojnë qysh mendoj unë”.
Ndërkaq pas kësaj, të akuzuarit Gërguri dhe Mustafa-Sadiku deklaruan se duan të angazhojnë mbrojtës me shpenzime personale dhe për këto arsye seanca e sotme ka dështuar të mbahet.
Seanca e radhës lidhur me këtë çështje penale u caktua të mbahet me 10 mars 2023.
Sipas aktakuzës së ngritur më 31 mars 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Bekim Sabedini po akuzohet se në bashkëkryerje me të pandehurin Zoran Ballaban i cili gjendet në arrati, kanë kryer veprat penale “Legalizim të përmbajtjes së rreme” dhe “Falsifikim të dokumenteve”.
Në aktin akuzues thuhet se i pandehuri Zoran Ballaban i cili gjendet në arrati, ka falsifikuar aktgjykimin e Gjykatës Komunale në Prishtinë P-1381/90, të 30.08.1994, që ka të bëjë me ngastrën kadastrale 187/1, ZK Fushë-Kosovë në sipërfaqe prej 21379 metër katror, e cila është pronë shoqërore e të dëmtuarës PSH “KBI KOSOVA- EXPORT”, e cila administrohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, si dhe pastaj ka legalizuar me përmbajtje të rreme aktgjykimin e falsifikuar C.nr.1381/90, të 30 gushtit 1994, tek noteri Skender Dumani, në Komunën e Podujevës.
Tutje, thuhet se i pandehuri Zoran Ballaban më 22 dhjetor 2015 e ka autorizuar për përfaqësim të akuzuarin Bekim Sabedini që të ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme për parcelën e lartcekur, ashtu që Sabedini me aktgjykimin e falsifikuar dhe vendimin e Komunës së Prishtinës me nr.8029 të 14.04.1964, e ka noterizuar aktgjykimin e falsifikuar C.nr.1381/90 të 30 gushtit 1994 tek noteri Skender Dumani duke legalizuar përmbajtjen e pavërtetë, duke prezantuar aktgjykimin e lartcekur të falsifikuar të Gjykatës Komunale në Prishtinë, ashtu që më 19 korrik 2016, i njëjti ka bërë kërkesë në Drejtorinë e Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës në Komunën e Fushë-Kosovës, për regjistrimin e parcelës me nr.187/1 dhe arrin të regjistrojë pronën në emrin e personit Bogdan Ballaban.
I pandehuri Zoran Ballaban, sipas aktakuzës edhe pse ka qenë i njoftuar lidhur me revokimin e aktvendimin nr.14-016-22996 të 17 tetorit 2016, nga Drejtoria e Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës në Fushë-Kosovë, në mënyrë të kundërligjshme është pajisur me certifikatën e pronës në emër të Bogdan Ballaban, dhe ka legalizuar përmbajtje të rreme duke e bërë akt-trashëgimin tek noteri Kolë Rama në Komunën e Graçanicës, e më pastaj e ka bartur këtë pronë në emër të tij e duke e vënë në lajthim të dëmtuarit Burim Haklaj dhe Fadil Lubeniqi, ka arritur t’ua shes ngastrën e lartcekur në shumën prej 170 mijë euro.
Për këtë, sipas aktakuzës, i akuzuari Bekim Sabedini në bashkëkryerje me të pandehurin Zoran Ballaban i cili gjendet në arrati, akuzohen se kanë kryer veprën penale të legalizimit të përmbajtjes së rreme nga neni 403, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të falsifikimit të dokumenteve nga neni 398, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
E akuzuara Liridona Mustafa-Sadiku, në cilësinë e personit zyrtar, në pozitën e zyrtares ligjore, në Drejtorinë e Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës, në Komunën e Fushë-Kosovës, po akuzohet se duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e saj zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër, e njëjta duke tejkaluar autorizimet zyrtare, ka nxjerrë aktvendimin e 22 gushtit 2016, ku është aprovuar kërkesa e Bogdan Ballaban, duke mos e verifikuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktgjykimin e lartcekur dhe e njëjta ka marrë të dhëna nga dy aktgjykime ku ngastrën me nr.187/1 e merr nga lënda C.nr.1381/90, kurse numrin e lëndës në sipërfaqe 21379 m2, e merr nga lënda C.nr.1381/90, kurse numrin e lëndës në aktvendim e shkruan C.nr.1378/90, aktgjykim lidhur me ngastrën kadastrale në sipërfaqe prej 287.52 ari të cilat Bogdan Ballaban vite më parë i kishte shitur.
Mustafa-Sadiku, po akuzohet se më 17 tetor 2016, ka nxjerrë revokimin e aktvendimit me nr.14.016-22996/16, dhe ngastra kthehet në gjendjen e mëparshme pronë shoqërore, PSH “KBI KOSOVA-EXPORT” e cila administrohet nga ATK. Kështu duke qenë në dijeni se është nxjerrë aktvendim për revokim e njëjta ka nxjerrë aktvendimin ku aprovohet kërkesa e Bogdan Ballaban e cila ka të bëjë me bartje, posedim-blerje sipas aktit juridik të vendimit të Gjykatës C.nr.1381/90, si dhe aktvendimi i pa nënshkruar nga e akuzuara Liridona Mustafa, i panënshkruar nga i akuzuari Jakup Tërnava por aktvendimi i vulosur, i lëshohet certifikata e pronës e 14 majit 2019, e panënshkruar dhe pavulosur nga operati kadastral, i akuzuari Ejup Gërguri në emrin e të pandehurit Bogdan Ballaban më 31 maj 2019, e pandehura Mustafa Sadiku ka nxjerrë aktvendim për bartje, posedim të trashëgimisë, të cilin e ka nënshkruar shefi i kadastrit i akuzuari Fehmi Mustafa, në emër të Zoran Ballaban kurse i akuzuari Ejup Gërguri ka lëshuar certifikatën e pronës në emër të Zoran Bollaban duke e ditur se ngastra e lartcekur është pronë shoqërore e të dëmtuarës PSH “KBI KOSOVA-EXPORT”.
Me këtë. ajo po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 i KPRK-së.
Ndërsa, me aktin akuzues Ejup Gërguri në cilësinë e personit zyrtar, në pozitën Operator Kadastral në Drejtorinë e Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës në Komunën e Fushë-Kosovës, akuzohet se duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër, ka lëshuar certifikatën e pronës në emrin Bogdan Ballaban, edhe pse është bërë revokimi i aktvendimit, i nënshkruar dhe i vulosur nga ai dhe nga i akuzuari Jakup Tërnava.
Tutje në aktakuzë thuhet se edhe pse i pandehuri Zoran Bollaban ka qenë në dijeni lidhur me procesin e revokimit të aktvendimit, ka marrë certifikatën e pronës e cila është nxjerrë duke i paraprirë aktvendimi mbi trashëgiminë e përpiluar dhe e nxjerrë nga e akuzuara Liridona Mustafa-Sadiku, e nënshkruar dhe e vulosur nga ana e saj dhe nga i akuzuari Fehmi Mustafa si shef i kadastrit.
Sipas aktit akuzues, i akuzuari Gërguri i ka lëshuar certifikatën e pronës në emrin e Zoran Ballaban edhe pse ka qenë në dijeni se prona ishte në emër të të dëmtuarës PSH “KBI KOSOVA-EXPORT”, e cila administrohet nga AKP, e që për këtë i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtar” nga neni 422, par 1 i KPRK-së.
Tutje, i akuzuari Fehmi Mustafa po akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, shef i kadastrit në Drejtorinë e Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës në Komunën e Fushë-Kosovës, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për veten apo personin tjetër, edhe pse ka qenë në dijeni për revokimin e vendimit për ngastrën kadastrale 187/1, është përpiluar dhe nxjerrë aktvendimi për mbajtje, posedim të trashëgimisë në emër të Zoran Ballaban, nga ana e të akuzuarës Mustafa-Sadiku, e vulosur dhe nënshkruar nga i akuzuari Fehmi Mustafa, duke e ditur se ngastra e lartcekur është pronë shoqërore e të dëmtuarës PSH “KBI KOSOVA-EXPORT”.
Lidhur më këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtar” nga neni 414, par. 1 i KPRKS-së.
Kurse, Jakup Tërnava po akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar si drejtori i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër, Pronë në Komunën e Fushë-Kosovës duke e shfrytëzuar autoritetin e tij zyrtar, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër, nuk e ka verifikuar fare lëndën dhe nxjerrjen e aktvendimit të 22 gushtit 2016, ku është aprovuar kërkesa e Bogdan Ballaban për ngastrën kadastrale 187/1, duke e ditur se është pronë shoqërore e PSH “KBI KOSOVA-EXPORT”.
Tutje në aktin akuzues thuhet se i akuzuari Jakup Tërnava e ka nënshkruar aktvendimin e përpiluar nga Mustafa-Sadiku, edhe pse ka qenë i njoftuar lidhur me revokimin e aktvendimit për ngastrën e lartcekur dhe ka nënshkruar certifikatën e pronës në emër të Bogdan Ballaban, e lëshuar nga zyra kadastrale në Fushë Kosovë.
Lidhu me këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtar” nga neni 422, par. 1 i KPRK-së.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.