Nuk ka dyshim se pamjet trishtuese që na i ofruan dje mediat lidhur me hedhjen e mbetjeve të kafshëve, të therura për festën e Kurban Bajramit janë veprime të qytetarëve të pa përgjegjshëm dhe të pa ndërgjegjshëm, ndaj ambientit dhe mjedisit jetësor. Por, këtu nuk duhet përjashtuar as (mos)përgjegjësinë e organeve shtetërore dhe juridike në lidhje me mbrojtjen ekologjike të vendit. Sepse kjo temë deri më tani është trajtuar vetëm sipërfaqësisht dhe sa për të plotësuar një kriter formal. Mirëpo, asnjëherë institucionet shtetërore si ato politike dhe juridike nuk i kanë reflektuar trendet negative në këtë sferë.
Le të marrin vetëm shembullin e Kodit Penal të Kosovës. I njëjti është ndryshuar disa herë brenda një dekade. Mirëpo, ajo që ka mbetur e pandryshuar janë pikërisht sanksionet penale lidhur me krimet ndaj ambientit. Madje për këtë aspekt, sa herë që ka ndryshuar Kodi Penal as që është bërë ndonjë “zhurmë” publike, sikurse bie fjala që ka ndodhur me disa vepra tjera penale ku shoqëria civile dhe ambasadat kanë qenë më të zëshme me kërkesat e tyre për rritje të dënimeve. Ky qëndrim statik do të kishte kuptim sikur trendet degraduese të ambientit të kishin qenë në rënie. Mirëpo, ndërmjet viteve të ndryshimit të Kodit Penal, ka ndodhur e kundërta.
Kurse ajo që është manifestuar në këtë rast ka qenë vetëm imitim nga kodi i vjetër në të riun. Jam i vetëdijshëm që vetëm normat juridike të këtij Kodi nuk janë të mjaftueshme për ta luftuar këtë dukuri pa efikasitetin e mekanizmave tjerë ligjzbatues, por të paktën sikur të kishin ndodhur ndryshime edhe formale ishte përçuar mesazhi se megjithatë kjo temë po merret me seriozitet dhe reflekton shqetësim politik dhe publik mbi degradimin e ambientit jetësor. Mirëpo, në këtë rast i vetmi ndryshim është ai që ka të bëjë vetëm faqet ku trajtohen krimet ndaj mjedisit. Kështu në Kodin e shfuqizuar të vitit 2012, Mbrojta e mjedisit, kafshëve, bimëve dhe objekteve kulturore gjendet në faqen 127, përkatësisht në Kapitullin XXVIII, konkretisht në Neni 347;
Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit
- Kushdo që duke shkelur ligjin, bën ndotjen ose degradimin e ajrit, ujit apo tokës ose shfrytëzon jashtë mase burimet natyrore, dënohet me gjobë ose burgim deri në dy (2) vjet.
- Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni kryhet nga pakujdesia, kryesi dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit.
- Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me dëmtimin e shëndetit të një numri të madh të njerëzve apo me asgjësimin e plotë ose të pjesërishëm të botës shtazore, bimore ose të rezervave të ujit të pijshëm apo me ndonjë dëmtim tjetër të mjedisit me pasoja të rënda, apo me shtimin e nivelit të ndotjes në shkallë kritike, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim deri në pesë (5) vjet.
- Nëse vepra penale nga paragrafi 2. i këtij neni rezulton me dëmtimin e shëndetit të një numri të madh të njerëzve apo me asgjësimin e plotë ose të pjesërishëm të botës shtazore, bimore ose të rezervave të ujit të pijshëm apo me ndonjë dëmtim tjetër të mjedisit me pasoja të rënda, apo me shtimin e nivelit të ndotjes në shkallë kritike, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim deri në dy (2) vjet.
- Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me dëmtim apo me shkatërrim të papërmirësueshëm të mjedisit ose me rrezikimin e pasurive të mbrojtura natyrore, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej 1 deri në 8 vjet.
- Nëse vepra penale nga paragrafi 2. i këtij neni rezulton me dëmtim apo me shkatërrim të papërmirësueshëm të mjedisit ose me rrezikimin e pasurive të mbrojtura natyrore, kryesi dënohet me
gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet
Ndërkohë, në Kodin e Ri Penal të vitit 2019 kjo temë gjendet në faqen 132, dhe me një dallim tjetër se në këtë rast ajo është e specifikuar në Kapitullin XXVII, përkatësisht ne nenin 338;
Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit
- Kushdo që duke shkelur ligjin, bën ndotjen, degradimin ose shkatërrimin e ajrit, ujit apo tokës ose shfrytëzon jashtë mase burimet natyrore, dënohet me gjobë ose burgim deri në dy (2) vjet.
- Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni kryhet nga pakujdesia, kryesi dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit.
- Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me dëmtimin e shëndetit të një numri të madh të njerëzve apo me asgjësimin e plotë ose të pjesërishëm të botës shtazore, bimore ose të rezervave të ujit të pijshëm apo me ndonjë dëmtim tjetër të mjedisit me pasoja të rënda, apo me shtimin e nivelit të ndotjes në shkallë kritike, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim deri në pesë (5) vjet.
- Nëse vepra penale nga paragrafi 2. i këtij neni rezulton me dëmtimin e shëndetit të një numri të madh të njerëzve apo me asgjësimin e plotë ose të pjesërishëm të botës shtazore, bimore ose të rezervave të ujit të pijshëm apo me ndonjë dëmtim tjetër të mjedisit me pasoja të rënda,
apo me shtimin e nivelit të ndotjes në shkallë kritike, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim deri në dy (2) vjet.
- Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me dëmtim apo me shkatërrim të papërmirësueshëm të mjedisit ose me rrezikimin e pasurive të mbrojtura natyrore, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej 1 deri në 8 vjet.
- Nëse vepra penale nga paragrafi 2. i këtij neni rezulton me dëmtim apo me shkatërrim të papërmirësueshëm të mjedisit ose me rrezikimin e pasurive të mbrojtura natyrore, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.
- Kushdo që e kryen veprën e paraparë në paragrafin 1 të këtij neni si anëtar i grupit, dënohet me gjobë dhe burgim deri në katër (4) vjet
Pra siç shihet, i vetmi ndryshim janë faqet se ku është renditur ky nen dhe kapitulli. Gjithçka tjetër është përsëritje, imitim dhe improvizim. Ndërkohë, zyrtarët publikë dhe politikë krekosen sa herë e plotësojnë dhe ndryshojnë këtë Kod, e degradimi i ambientit vazhdon të ndodhë çdo ditë, edhe përkundër këtij “avancimi” juridik dhe politik.