Mbi dy milionë përdorues të telefonisë mobile dhe asaj fikse, që nga qershori i vitit të ardhshëm do të përdorin kodin telefonik të Kosovës +383 , duke i dhënë fund operimit të kodeve të huaja në Kosovë, bëjnë të ditur autoritetet kompetente.
Kurse që nga kjo javë pritet që numri i thirrjeve nga telefonia fikse e Kosovës, në vende të ndryshme të botës, të identifikohet me +383, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, drejtori teknik i Telekomit të Kosovës, Mehdi Latifaj.
“Vetëm nga linjat fikse nga Kosova thirrjet jashtë vendit, numri thirrës do të identifikohet +383, pastaj numri pasues nga cili rajon thirret”, thotë Latifaj.
Ndryshe, Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU) në dhjetor të vitit të kaluar i ndau kodin telefonik +383 Kosovës, pas një marrëveshje të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për telekomunikacionin, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.
Kurse, thirrja e parë telefonike me këtë kod u realizua në shkurt të këtij viti nga Post Telekomi i Kosovës.