Besim Kodra, përfaqësues nga Shoqatat e Pacientëve të Kosovës, ka fajësuar partitë politike për shtimin e rasteve të reja me COVID-19.
Kodra në Info Magazine tha se fushata elektorale e partive politike për zgjedhjet e 14 shkurtit ishe shumë e papërgjegjshme dhe rrezikoi shëndetin publik, njofton Klan Kosova.
“Fushata politike ishte mjaft e papërgjegjshme dhe sigurisht se ka humbur arsyen që ne te kërkojmë nga qytetarët dhe bizneset që të respektojnë masat antiCOVID”.
“Kjo ka qenë një fushatë e papërgjegjshme pasi partitë politike na premtonin se do të rregullojnë sistemin shëndetësor, do të ndalin pandeminë dhe do të vaksinojmë gjithë qytetarët kështu duke na rrezikuar shëndetin në mënyrë të drejtpërdrejtë pasi premtonin sundim të ligjit dhe vetë shkelnin ligjin antiCOVID”, tha Kodra.
Kodra tutje tha se ka humbur kuptimi i partneriteti dhe angazhimit të qytetarëve dhe institucioneve kundër COVID-19.
“Ajo që tregohet më së shumti në kohë pandemie pos profesionalizimit që duhet në menaxhim të situatës kërkohet edhe partneritet i madh me qytetarët dhe angazhim i qytetarëve në luftën e përbashkët – ky angazhim dhe partneritet ka humbur kuptimin dhe nuk mendoj se më qytetarët do të jenë partner të politikanëve ose institucioneve shëndetësore për t’u mbrojtur nga COVID-19”.