Vonesa e vaksinës anti-Covid në Kosovë po shihet si problem që po u shkakton probleme të mëdha sektorit shëndetësor dhe pacientëve.
Këto deklarime i ka bërë Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve, i cili thotë se derisa disa nga shtetet evropiane dhe ballkanike kanë siguruar këto vaksina, Kosova ka mbetur ndër të fundit.
Kodra ka thënë se vaksinat duhet të sigurohen sa më parë.
“Sa i përket vaksinimit, janë kategoritë e rrezikuara, punëtorët shëndetësorë, personat e moshuar dhe ata me probleme kronike që duhet vaksinuar sa më parë. Vaksinat duhet të sigurohen sepse pandemia ka shkaktuar tërmet në sektorin e shëndetësisë në vend”, ka deklaruar Kodra në Express-KTV.
Ai tutje ka potencuar se është shqetësuese se si disa reparte të SHSKUK-së kanë pezulluar punën duke mos u dhënë trajtime pacientëve nën arsyetimin e pandemisë.
“Këtë vit kemi pasur më shumë ankesa nga pacientët se vitet e kaluara për shkak të pandemisë. SHSKUK-ja i ka ndërprerë shërbimet, kjo është shkelje sepse për ta vendosur ndërprerjen duhet të ketë vendim nga Qeveria apo Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë tutje ai.
Kodra ka shtuar se është shqetësuese sesi një numër i pacientëve është dashur t’i paguajnë vet shpenzimet e barnave pasi që ka pasur mungesë të madhe në sektorin shëndetësor.