Njohësit e çështjeve ekonomike kanë mendime të ndryshme sa i përket vlerës së koeficientit të Ligjit të Pagave prej 105 euro. Njëri thotë se Ligji i Pagave nuk e mbulon krizën ekonomike për shkak të inflacionit, ndërsa tjetri thotë se Ligji është i mjaftueshëm pasi aq janë mundësitë buxhetore, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, thotë se Ligji i Pagave është problematik, pasi si i tillë nuk krizën ekonomike shkaku i inflacionit.
Ai thotë se me këtë po dëmtohet punëtorët e të gjithë sektorëve, ndërsa ka vlerësuar se koeficienti në Ligjin e Pagave është dashur të jetë së paku 135 euro.
“Ligji i Pagave dhe përcaktimi i koeficientit i cili është premtuar më shumë dhe është marrë vendim më pak e dëmton drejtpërdrejtë punëtorët e sektorëve të ndryshëm me sektorin publik, po ashtu edhe me sektorin privat prandaj ish dashtë që në kuadër të kësaj krize që neve po na prek vazhdimisht dhe jemi duke u përballuar me të edhe pagat të rriten në nivel të inflacionit, në nivel të devalvimit të euros dhe të rritjes së çmimeve, nis nga ky fakt edhe 135 euro është koeficienti i vogël, por Qeveria e vendit e ka bërë një vendim jo transparent deri në momentin e fundit e me gjasë, Sindikatat në këtë rast e kanë humbur fuqinë e vet për të lobuar më shumë për punëtorët e sektorit publik dhe po pajtohen domosdoshmërisht sepse është një ç’rregullim tek këta dhe po i shohim tash punëtorët e shumë sektorëve që janë me pakënaqësi të madhe, në greva në ato që nuk po pajtohen dhe Qeveria e vendit duhet të dëgjojë zërin e punëtorëve, zërin e biznesit dhe të marrë vendime që t’i kënaqë të gjitha kategoritë”, tha Shahini për EO.
Gjithashtu ai se ky koeficient nuk e mbulon krizën ekonomike për shkak të inflacionit, rritjes së çmimeve dhe devalvimit të euros.
“Jo nuk e mbulon, për shkak se nis nga fakti që ka qenë inflacioni rreth 20 për qind, devalvimi i euros mbi 14 për qind, rritja e çmimeve mbi 40 për qind të të gjitha produkteve, paga sado që është e madhe ka mbete e vogël, por duhet ta dimë që paga minimale në Kosovë është paga më e ultë në Evropë, 170 euro pas Shqipërisë e cila e ka 270 euro dhe ende shumica e punëtorëve, shumica e kategorive sociale marrin një pagë nga 170 euro e që janë diku mbi 50 mijë paga dhe ne jemi duke u thelluar në krizë dhe kriza është e thellë, më shumë se sa që është reale”, tha Shahini.
Ndryshe nga Shahini mendon ekonomisti Jakup Bellaqa. Ai thotë se përkundër vlerës simbolike, Ligji i Pagave është i mirëseardhur se po bëhet për herë të parë. Ai pret që e njëjta vlerë vitin e ardhshëm të bëhet 110 euro, ndonëse nuk e sheh të mjaftueshme.
“Është me rëndësi që është miratuar ligji i pagave, domethënë për herë të parë, pagat janë të garantuara me ligj, ajo ka shumë rëndësi, nuk është e kënaqshme edhe që i zgjedhë të gjitha problemet, mirëpo duke pasur parasysh kushtet ekonomike, duke pasur parasysh çfarë ekonomie të brishtë, duke marrë parasysh që jemi domethënë bruto produkti vendor që është më i vogël në rajon, që gjithë ajo ekonomi 9.4 në vitin e kaluar, edhe të hyrat kombëtare, domethënë janë më të vogla dikund 4 mijë e 200 euro mesatare për një banor edhe është shpresëdhënëse që vitin e ardhshëm është marrë vendim që 110 euro”, u shpreh Bellaqa për EO.
Bellaqa e arsyeton Qeverinë për vlerën e koeficientit prej 105 eurosh, duke thënë se nuk është e mjaftueshme por aq janë mundësitë buxhetore. Ai tha se shuma prej 120 euro do të kishte qenë më e mirë në raport me krizën ekonomike.
“Po nuk është e mjaftueshme mirëpo, mundësitë buxhetore nuk janë aq, janë të limituara dëshirat dhe nevojat sepse për shkak të inflacionit të lartë nuk janë të mjaftueshme, por ka rëndësi që është një hap pozitiv që reflekton për të ardhmen që është mënyrë progresive edhe u mor vendimi që vitin e ardhshëm +5 euro kështu që gradualisht besoj që është stabilizohet”, tha Bellaqa.
“Mendoj që 120 euro kishte qenë njëfarë mesatareje, edhe më shumë por 120 euro kishte qenë pak më e kënaqshme, më e ekuilibruar, mirëpo mundësitë buxhetore kisha kërkuar që në këtë rast ministria përgjegjëse domethënë Ministria e Financave, që për hir të transparencës që të tregojë pak më të qartë, më të arsyeshëm që ne dëshirojmë më shumë mirëpo aq janë mundësitë buxhetore”, tha Bellaqa për EO.