Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, është shprehur i pakënaqur me paraqitjen e lojtarëve të tij në fitoren e vështirë 1:0 kundër Real Valladolidit të hënën në mbrëmje.
Ousmane Dembele me një gol të vonshëm në Camp Nou ia siguroi Barçës një fitore tejet të rëndësishme në garë për titull, duke e parë humbjen e liderit Atletico Madrid një ditë më parë, transmeton Gazeta Express.
Për më tepër, kjo fitore ishte e rëndësishme për faktin se Barcelona do të përballet me Real Madridin të shtunën dhe tani do të shkojë në atë takim duke qenë mbi rivalin e vet më të madhe në tabelën e La Ligës dhe vetëm një pikë larg kreut.
Koeman e pranoi pas ndeshjes se skuadra e tij nuk luajti mirë.
“Na munguan shumë gjëra në pjesën e parë. Nuk bëmë presion siç duhet. Në fillim e pashë një Barcelonë të ngadalshme dhe të lodhur”, tha Koeman.
“Ne nuk e kontrolluam lojën. Prandaj e ndryshuam sistemin dhe u përmirësuam në pjesën e dytë. Ishte ndeshje e vështirë sepse nuk ishin në nivelin tonë”, shtoi ai.