Ronald Koeman këmbëngul se emërimi apo jo i Mauricio Pochettinos në postin e trajnerit të Paris Saint-Germain, nuk do të ketë kurrfarë ndikimi në të ardhmen e Lionel Messit në Barcelonë.
Messi e kërkoi largimin nga Barcelona në verë por s’u lejua. Dhe tani që po hyn në gjashtë muajt e fundit të marrëveshjen me katalonasit, ai ka të drejtë të bisedojë me klubet e tjera nga 1 janari.
Duke folur të dielën në një intervistë për La Sexta, Messi tha se as vetë nuk e di të ardhmen dhe se është i përqendruar vetëm në lojën.
Thuhet se me emërimin e Mauricio Pochettino në postin e lirë të trajnerit të PSG-së, pas shkarkimit të Thomas Tuchel javën e kaluar, Messi mund të joshët t’i bashkohet bashkatdhetarit të vet në kryeqytetin francez, ku luan edhe ish-shoku i vet Neymar.
Por Koeman nuk beson se e ardhmja e Messit do të varet nga ndonjë trajner.
“Nuk e di nëse është e vërtetë se Pochettino do të kalojë në PSG. Por kur Messi të vendosë për të ardhmen, ajo nuk do të varet nga një trajner”, tha Koeman të hënën.
“Gjithmonë kam qenë i qetë për Messin dhe nuk do të jem më i qetë sepse ai tha se për të ardhmen do të vendosë në fund të sezonit”.
Ai shtoi: “Do ta shohim se çfarë do të ndodhë. I vlerësoj fjalët e Messit sepse ai është lojtar i rëndësishëm për klubin dhe për futbollin.”