Koha e gjykimit dhe vëllimi i materialeve përplasin avokatët e liderëve të UÇK-së me ZPS-në

Prishtinë | 15 Shk 2023 | 13:37 | Nga Ekonomia Online

Pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka konfirmuar se do të nxjerrë edhe materiale të tjera për mbrojtjen dhe se bëhet fjalë për 700 dokumente, avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, ka thënë se janë pothuajse në fillim të gjykimit dhe vazhdohet të diskutohet për nxjerrje të materialeve, pavarësisht afateve të vendosura nga trupi gjykues dhe diskutimeve në dhjetor.

Paraprakisht, në konferencë është diskutuar edhe për pajtimet në mes të palëve për pikat juridike dhe faktike.

Gjykatësi Charles L. Smith II, ka thënë se më 18 nëntor 2022, ZPS-ja ka dorëzuar një listë për të cilat palët janë pajtuar. Sipas tij, ekipet e mbrojtjes kanë dorëzuar një njoftim të përbashkët të mbrojtjes lidhur me parashtrimin dhe ka pyetur palët se a ka zhvillim tjetër.

Nga ZPS-ja kanë thënë se vazhdojnë të jenë të përfshirë në diskutimet ndërmjet palëve dhe më 9 shkurt kanë filluar të kenë kontakte me ekipet e mbrojtjes për të parë se cilat janë pikat juridike me të cilat ata duan të diskutojnë me prokurorinë dhe nëse ka pika juridike apo faktike me të cilat do të pajtohen.


Avokati Gregory Kehoe, ka thënë se nuk di çfarë të thotë pasi diskutimet nuk kanë qenë shumë efektive deri tani dhe nuk janë dakord pasi bëhet fjalë për një mori të gjerë dokumentesh që ka ZPS-ja. Ai ka thënë se vazhdojnë diskutimet në mes të palëve.

Ndërsa Ben Emmerson, avokat i Kadri Veselit, ka thënë se ZPS nuk ka dhënë parashtrim sa i takon korrespodencës apo interpretimeve ligjore se cila do të jetë baza për faktet juridike.

Sipas Emmersonit, ZPS-ja duhet të sqarojë pozicionin e saj për pikat juridike dhe pastaj nëse ka pika që pajtohen do të vijojnë më tutje.

Nga mbrojtja e Rexhep Selimit, po ashtu është thënë se do t’ju ndihmonte nëse prokuroria tregon se cili është pozicioni i tyre.

“Duhet të dimë saktësisht cili është pozicioni i ZPS-së, se në të kundërtën jemi në të njëjtin pozicion sikurse Emmerson apo Kehoe”, ka thënë mbrojtja e Selimit.

Ndërsa Aydan Elis, avokat i Jakup Krasniqit, ka thënë se ka të njëjtin qëndrim me ekipet e tjera të mbrojtjes dhe se do të përgjigjen pasi të marrin përgjigje nga ZPS-ja, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me nxjerrjen e materialeve, gjykatësi Smith, ka kërkuar të informohet nëse i gjithë materiali që është në dispozicion sipas rregullës 104 është nxjerrë dhe nëse është bërë rishikimi i dokumenteve.

Prokurori Mathew Howling, ka thënë se duhet të shikojnë rregullin 102 (3), pasi kanë dokumente që i kanë në posedim muajt e fundit dhe do të duhet të bëjnë njoftimin e duhur.

Sipas tij, do të dorëzojnë një njoftim lidhur me këtë.

Më tutje, avokati Kehoe ka pyetur se cili është volumi i materialit të ri sipas rregullës 103. Kurse, prokurori ka thënë se po mendojnë aktualisht për 700 dokumente dhe se ka disa që do t’i nxjerrin në mënyrë të drejtpërdrejtë javën që vjen, por se materialet e reja që do t’i nxjerrin në bazë të rregullës 102 (3), janë 700 dokumente.

Në këtë kontekst, avokati Kehoe ka thënë se janë pothuajse në fillim të procesit dhe vazhdohet të diskutohet për nxjerrje të materialeve, pavarësisht afateve të vendosura nga trupi gjykues dhe diskutimeve në dhjetor.

“Besoj e mendoni se çfarë do të thotë për neve që kemi edhe 700 dokumente të tjera”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo çështje është problematike për mbrojtjen.

Prokurori ka thënë se kjo është një çështje e paraparë në rregullën 102 (3) dhe se do të vazhdojnë të japin dokumente edhe gjatë gjithë gjykimit dhe se kjo nuk është problem dhe se është paraparë në rregullore.

“Nuk janë të gjitha materiale që janë vënë në dijeni tani, disa janë të rregullës 107, por janë dokumente që nuk mund të ishin njoftuar në periudha të mëparshme”, ka thënë prokurori Howling.

Ndërsa Aydan Elis, ka thënë se nxjerrja sipas rregullës 102 (3) është problem për ta, pasi kur dëgjojnë se ka 700 materiale që do të nxjerrjen është problem për mbrojtjen.

“Nuk është e qartë për çfarë dokumente bëhet fjalë dhe kam përshtypje që bëhet fjalë për materiale që do të duhej të ishin nxjerrë më përpara”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk beson se është nxjerrë gjithë materiali që duhej të ishte nxjerrë nga ky rregull.

Në anën tjetër, gjykatësi Charles L. Smith II, ka thënë se nxjerrja e materialeve është esenciale për një proces gjyqësor. “Mendoj se është e vërtetë që nuk keni marrë të gjitha gjërat. Elementi i nxjerrjes së materialeve është thelbësor në proces gjyqësor dhe nuk është dytësor”, ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme