Ishte fundi i sezonit 2007-2008, kur Barcelona e drejtuar atëherë nga Franck Rijkaard e mbylli sezonin pa fituar asnjë trofe dhe të gjithë menduan se kishte ardhur fundi i një epoke dhe se do të duheshin vite për t’u ringritur.
Por drejtuesit zgjodhën t’ia besojnë bankinën Pep Guardiolës, i cili riktheu shumë shpejt në elitë katalanët dhe dominoi në Spanjë, Europë e botë me stilin e tij të lojës, i njohur edhe si “tiki taka”.
Edhe këtë vit Barcelona nuk ka arritur asgjë në fushë, pasi i dorëzoi titullin Realit të Madridit në periudhën pas ndërprerjes së kampionatit, humbi Kupën në fushën e Atletic Bilbaos dhe u turpërua në Ligën e Kampionëve, diçka që ndodhi pas eliminimeve të bujshme nga Liverpool e Roma në vitet paraardhëse.
Për më tepër, ky ishte edhe sezoni i shkarkimit të Ernesto Valverdes dhe emërimit të Quique Setien, ndoshta njeriu me më pak faj për situatën e krijuar, por që do të duhet të paguajë shtrenjtë dhe të mbajë këtë njollë në historinë e Barcelonës.
Presidenti Bartomeu paralajmëroi vendime të fort për të dalë nga situata dhe tani është e sigurt që Setien nuk do të qëndrojë më në pankinën e katalanëve, ndërsa në orët e ardhshme pritet edhe vendimi zyrtar për shkarkimin e tij.
Në “pole position” për t’u ulur në bankinën e Barcelonës është ish mesfushori dhe kapiteni legjendar i katalanëve, Xavi Hernandez, i cili është nën kontratë me Al Sadd, por ka një klauzolë që e zhvlerëson bashkëpunimin, nëse merr një thirrje nga klubi i tij i zemrës.
Xavi është figura më e dashur e tifozëve të Barcelonës dhe për më tepër njeh mirë ambientin dhe filozofinë e skuadrës, ndaj do ta kishte më të lehtë për të rikthyer ekipin në shina.
Alternativë është edhe argjentinasi Maurizio Pochettino, i cili është i papunë që prej vjeshtës së kaluar kur u shkarkua nga Tottenhami. Ish trajneri i Espanyolit ka një eksperiencë më të madhe dhe një stil loje që përafrohet shumë me atë të Barcelonës së suksesshme.
Më pak mundësi ka që në bankinë të vijë ish trajneri i Juventusit e Milanit, Massimiliano Allegri, i cili mund të rikthejë skuadrën te suksesi, por aplikon një stil loje shumë mbrojtës, që vështirë se do të mirëpritej në “Camp Nou”.
Dyshimet më të mëdha janë mbi të ardhmen e Lionel Messit, i cili gjatë gjithë sezonit nuk ka ngurruar të shprehë hapur zhgënjimin me punën që është bërë te në klubin katalan dhe së fundi ka refuzuar edhe rinovimin e kontratës që përfundon verën e ardhshme.
Ndoshta ka ardhur koha që bashkë me mbylljen e një cikli, të mbyllet edhe eksperienca e Lionel Messit te Barcelona, ashtu siç bëri edhe Ronaldinho, që me emërimin e Guardiolës në pankinë, u transferua drejt Milanit.
Në këtë rast, rriten shpresat edhe në anën zikaltër të qytetit të Milanos, pasi prej ditësh flitet për një kalim të Messit te Interi dhe situata e krijuar momentalisht te Barcelona, mund të ndihmojë më shumë në konkretizimin e këtij transferimi.