KOK-u e bën anëtaren e vet selektore të Kosovës, s’e pyet federatën, selektori mbetet në shtëpi

Prishtinë | 18 Qer 2019 | 11:49 | Nga Ekonomia Online

Komiteti Olimpik i Kosovës njihet për delegacione “kineze” në udhëtime jashtë shtetit në kurriz të ekspeditës së Kosovës. Njihet edhe për mëditje të majme për rrethin e ngushtë të kryesuesve të vet. Në mesin e vet ka edhe politikë. Ka pasur rast kur reprezentuesin e Kosovës e ka dërguar në garë të madhe ndërkombëtare pa trajner. Kurse tani ky institucion e bën veprimin tjetër “monark”. Karateistin Alvein Karaqi po e dërgon në Lojërat Evropiane pa Isak Currin, i cili është i emëruar selektor i Kosovës qe tri vjet nga Federata e Karatesë dhe i cili qe tri vjet merret me Karaqin. Në vend të tij KOK-u në Minks po e çon anëtaren e bordit të vet, Shqipe Zogianin, e cila është e suspenduar nga Federata e Karatesë.

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) gjithnjë bëhet cak i kritikave sa here që i prinë ose organizon udhëtime të ekspeditës së Kosovës nëpër shtetet tjera nëpër të cilat mbahen gara të rëndësishme ndërkombëtare, shkruan Gazeta Express

Institucioni më i lartë sportiv në vend po akuzohet për tejkalim të ekzagjeruar të kompetencave duke ndërhyrë në politikat e pavarura që u takojnë Federatave të sportit.

KOK-u së fundmi e ka bërë një ndërhyrje të çuditshme në Federatën e Karatesë së Kosovës (FKK), si në “bahçe të babës”.

Karateisti Alvein Karaqi do të jetë pjesë e ekspeditës së Kosovës në Lojërat Evropiane që do të mbahen prej 21 deri më 30 qershor në Minks të Bjellorusisë.

Por, Karaqi nuk do ta ketë trajner një këtë ngjarje afër vetes Isak Currin, i cili qe tri vjet është emëruar përzgjedhës i Kosovës nga Federata e Karatesë e Kosovës.

Madje, sipas FKK-së, Curri qe tri vjet ka qenë trajner i karateistit të njohur në të gjitha garat ndërkombëtare ku Karaqi e ka përfaqësuar Kosovën.

Por, për në Minks reprezentuesit kosovar i është ndërruar në mënyrë imponuese trajneri nga ana e KOK-ut. Kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, me bashkëpuntorët e tij kanë vendosur që Karaqin në Minks ta shoqërojnë me trajneren Shqipe Zogiani. Zogiani është anëtare e bordit të KOK-ut.

Për “menaxherët” e ekspeditës tonë shtetërore duket se kjo ka më shumë rëndësi sesa kompetentja, Federata e Karatesë e Kosovës.

“Sa për informim të opinionit publik Zj. Zogiani është suspenduar si trajnere për një periudhë kohore prej 12 muajsh nga FKK-ja dhe performancën e saj si trajnere në Minsk është një shkelje e vendimit të marrë nga autoritetet më të larta në FFK-ja”, njofton Federata, e cila këtë ndërhyrje të çuditshme të KOK-ut e konsideron të rrezikshme për sportin e Kosovës.

“Ne me të vërtet besojmë që ky vendim e rrezikon natyrën demokratik të qeverisjes sportive dhe administrimit. Imagjinoni sikur KOK të filloj dhe tu caktoj te gjitha Federatave se kush do të jetë selektor, trajner i përfaqësueses apo dhe garues, do të ishte sistem monark, antikushtetues dhe aspak demokratik duke ndërhy në pavarësinë e Federatave te cilat kanë organet e veta te zgjedhura ne mënyrë legjitime dhe demokratike shtuar faktin qe Federata e Karatesë e Kosovës është nder Federatat me te suksesshme në Kosovë”, thekson pos tjerash FFK.

Gazeta Express ka provuar ta marr një përgjigje nga kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, por pa sukses. Për rastin nuk është prononcuar as divizioni për marrëdhënie me publikun i KOK-ut. Ndërsa, telefonin nuk e ka hapur as Shqipe Zogiane, anëtare e bordit e KOK-ut, institucion ky që e imponoi anëtaren e vet në postin e selektores së Kosovës.

KOK-u shpeshherë bën skandale për kritika. Njihet për delegacione “kineze” në udhëtime jashtë vendit, përkatësisht në gara ndërkombëtare, për mëditje të larta dhe të shpeshta. Ndërsa, ka pasur raste kur në ekspeditë reprezentuesit kosovar nuk ia ka marrë trajnerin personal për ta mbuluar vendin me një tjetër person më pak apo aspak meritor për të qenë pjesë e ekipit.

Ndërsa, krejt këto mbesin nën hijen e rezultateve të Majlinda Kelmendit apo atyre pak reprezentuesve kosovarë.

Të ngjashme