Komiteti Olimpik i Kosovës ka shënuar sot 1 Tetorin – Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve, e cila njihet si dita më e veçantë për personat në moshë.
KOK-u zgjodhi të tubojë kontribuuesit shumëvjeçarë të sportit të Kosovës, me të cilët për mbi dy orë diskutoi për çështje të ndryshme, derisa u dhanë edhe shumë rekomandime.
Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, duke falënderuar të gjithë për kontributin e jashtëzakonshëm të tyre, nëpër dekada, foli për qëllimin e takimit, derisa i njoftoi me punën dhe bursat që iu jep KOK-u sportistëve elitarë.
Gjatë takimit të mbajtur në Hotel Sirius në Prishtinë, pjesëmarrësit e shumtë që vinin nga të gjitha federatat, një nga një evokuan kujtimet më të veçanta nga e kaluara e tyre në sport.
Bashkërisht u propozua që takime të tilla të bëhen tradicionale, derisa u kërkua që edhe federatat të mos i harrojnë kontribuuesit e sportit.
Gjatë bashkëbisedimeve u propozua që të formohet Shoqata e të Moshuarve, ndërsa pjesëmarrësit vlerësuan lartë Federatat, të cilat janë duke organizuar Ligat e Veteranëve.
Të gjithë kërkuan që kontributi i të moshuarve të dhënë në zhvillimin dhe mbajtjen gjallë të sportit në periudhat më të vështira, të mos harrohet, përkrundrazi të vlerësohet edhe nga federatat dhe vetë shteti.
Ndër propozimet e ndryshme ishte edhe ajo që komunat të investojnë më shumë në sport, ndërsa federatat u rekomanduan që të organizojnë kampe në Prishtinë për identifikimin e talentëve.
Rekomandimet e dala nga takimi me personat e moshuar
– Të formohet Shoqata për personat e moshuar
– Komunat të ndajnë më shumë para për sportin
– Federatat ta bëjnë identifikimin e talentëve në Prishtinë, duke mbajtur grumbullime me sportistët e Kosovës nga të gjitha grupmoshat
– U kërkua që edhe Federatat tjera të Kosovës të organizojnë Ligat për Veteranë
– Të vazhdohet me takimet e tilla me personat e moshuar dhe këto takime të bëhen tradicionale
– Të mbahen takime edhe me Federatat e tyre- Në takime të tilla të kemi edhe kontribuuesit nga Diaspora