“Kokainë në çdo petë të picës”, shkatërrohet banda e drogës në Dusseldorf të Gjermanisë

Prishtinë | 22 Tet 2024 | 17:53 | Nga Ekonomia Online

Policia gjermane ka arritur të shkatërrojë bandën e drogës në landin e Nordrhein-Westfalen.

Në operacionin policor që zhvillua në Dusseldorf, u prangosën tre persona.

Po ashtu u bastisën 16 prona në nëntë qytete të kësaj krahine dhe u sekuestruan edhe depo armësh.

Autoritetet gjermane, kishin informacione se një piceri atje po shpërndante substanca narkotike.

Pica, e njohur me emrin “40” ishte ndër porositë më të shitura, derisa u zbulua se kishte një përbërës sekret: kokainën.

Rreth 150 zyrtarë policorë, të Anti-drogës e njësitet elitare morën pjesë në aksion, ku u zbulua edhe skema e paligjshme e shpërndarje së lëndës narkotike, shkruajnë mediat gjermane transmeton Klankosova.tv

Sipas inspektores Michaela Graf von Moltke, policia e kishte pasur picerinë në vëzhgim që nga marsi, kur një inspektim rutinë ushqimor zbuloi drogën në kuzhinë.

Hetuesit e lëndëve narkotike e vunë nën vëzhgim biznesin dhe vunë re se pica “No 40” ishte e preferuara e klientëve.

“Ishte një nga picat më të shitura”, tha Von Moltke.

“Nën çdo petë vendosej një pako kokainë. “Kjo ishte e re për ne dhe na befasoi sepse pronari nuk ishte akuzuar kurrë për krime droge”, theksoi ajo.
Sllogani i picerisë ishte: “Ne ju sjellim gjithçka në shtëpi”.

Në këtë aksion, oficerët konfiskuan 1.6 kilogramë kokainë, 400 gramë kanabis dhe po ashtu një shumë e majme e parave kesh, rreth 268 mije euro.

Gjithashtu u sekuestruan edhe orë të shtrenjta, një pistoletë, një sëpatë dhe thika me tehe të gjata që besohet të jenë pjesë e bandës së përfolur, shkruajnë mediat gjermane transmeton Klankosova.tv

Dy ditë pasi u lirua nga paraburgimi, pronari e rihapi dyqanin dhe filloi ta shiste përsëri picën e tij të suksesshme, duke i lejuar hetuesit ta gjurmonin zinxhirin e tij të furnizimit.

Ai nuk kishte më parë precedentë penalë për shitje të drogës.

Të ngjashme