Kolegji ISPE ka nënshkruar marrëveshje Bashkëpunimi me Universitetin e Shkencave të Aplikuara Seinäjoki në Finlandë, nëpërmes së cilës studentëve kosovarë do t’u mundësohen diploma të dyfishta, të vlefshme në Kosovë, Finlandë dhe vende të tjera të BE-së.
Palët nënshkruese janë dakorduar që të organizojnë një Program të Përbashkët të Diplomës në Bachelor (3 vjet e gjysmë) në fushën e infermierisë dhe kujdesit shëndetësor dhe studentët të cilët diplomojnë në këtë program do të marrin diploma nga ISPE dhe nga Universiteti Seinäjoki në Finlandë.
Marrëveshja thotë se institucionet përkatëse gjatë lëshimit të diplomave të përbashkëta do të respektojnë plotësisht parimet dhe qëllimet e përcaktuara në Kornizën për Kualifikimet e Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë (EQF), legjislacionin në fuqi në të dy vendet, rregulloret dhe statutet e të dy institucioneve përkatëse etj.
Marrëveshja parasheh edhe shkëmbime akademike të studentëve dhe profesorëve dhe punë praktike në klinikat e Universitetit Seinäjoki në Finlandë. Përveç infermierisë, marrëveshja parasheh shkëmbime akademike në të gjitha programet që ofrojnë ISPE dhe Universiteti Seinäjoki.
“Duke qenë se Evropa është duke kaluar nëpër një proces të vazhdueshëm të zgjerimit dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor aspiron të bëhet pjesë e tij në të ardhmen, nevoja për programe arsimore që ofrojnë njohuri dhe kompetenca të duhura është me rëndësi të veçantë në këtë pjesë të Evropës”, ka thënë drejtoresha për Bashkëpunim ndërkombëtar e Universitetit Seinäjoki, Helli Kitinoja.
Kitinoja ka thënë se Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Seinäjoki dhe Kolegji ISPE kanë për qëllim të ndjekin zhvillimin e programeve të ndryshme të bashkëpunimit dhe për të arritur këtë, dy palët janë pajtuar për shkëmbimin e ndërsjellë të stafit të mësimdhënies dhe hulumtimit me synimin e mbajtjes së ligjëratave, ushtrimeve, punës praktike, konferencave, projekteve të përbashkëta hulumtuese dhe shkëmbimit të përvojave të tjera në fushën e interesave të përbashkët.
Marrëveshja parasheh edhe shpërndarjen dhe shkëmbimin e publikimeve dhe informacioneve për fushat specifike të studimeve dhe hulumtimeve, raporton Ekonomia Online.
ISPE dhe Universiteti Seinäjoki janë marrë vesh edhe për mbështetje reciproke dhe bashkëpunim në rishikimin e kurrikulave ekzistuese me synimin për të ruajtur trendin e politikave të zhvillimit të arsimit në nivel lokal dhe ndërkombëtar dhe për të qëndruar në trend me nevojat e tregut të brendshëm dhe rajonal të punës dhe njohurive.
Universiteti i Shkencave të Aplikuara Seinäjoki në Finlandë është ndër më të njohur në botë në fushën e shkencave dhe teknologjisë. Sistemi finlandez i arsimit të lartë ndahet në universitete hulumtuese tradicionale, të cilat përqendrohen më shumë në kërkimet akademike dhe në universitetet e shkencave të aplikuara, të cilat theksojnë më shumë ndërlidhjen e kuadrove me tregun e punës.
Avni Mazreku, profesor në ISPE, tha se kjo marrëveshje e avancon edhe pozitën e Kosovës pasiqë studentët do të shkojnë jashtë vendit dhe nuk do të kenë problem me njohjen e diplomave.
“Diploma e tyre mund të certifikohet nga Universiteti i Finlandës, studimet që bëhen në ISPE janë të njëjta siç bëhen në vendet tjera të BE-së. Marrëveshja e tillë është marrëveshja e parë në Kosovë dhe është krenari për të gjithë kolegjin IPSE dhe është privilegj për studentët e rinj që vijnë në ISPE “, tha Mazreku.
“Marrëveshja jonë e avanson pozitën e Kosovës, sepse studentët tanë që shkojnë jashtë vendit kanë pasur probleme me njohjen e diplomave të Kosovës, p.sh. në Gjermani nuk njihen dhe studentët tanë është dashur t’u nënshtrohen edhe disa programeve tjera që të balancohen me studentët e tyre dhe studentët që studiojnë në ISPE tani këtë të drejtë e kanë të njëjtë dhe diplomat mund të njihen edhe jashtë vendit”, tha Mazreku.
Ai shtoi se Finlanda është njëra ndër vendet që kanë sistemin më të mirë në botë të arsimit.
Bajram Ibraj tha se është kënaqësi e madhe për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje dhe kjo ka rëndësi të madhe për dy universitetet për shkak se është interesi i dy vendeve për interesat e përbashkëta në fushën akademike dhe në realizimin e programeve të ndryshme e shkëmbimin e stafit në mes këtyre dy universiteteve.
“Studentët qe studiojnë në ISPE do të pajisen me diploma të të dyja palëve dhe do të njihet nga dy vendet, si në Finlandë dhe Kosovë”, tha Ibraj.