Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku dhe drejtoresha për Kulturë, Rini e Sport, Shpresa Rama, kanë pritur sot në një takim pune rektorin e Kolegjit të UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi dhe dekanin Myzafer Shala.
Kryetari Mulaku ka falënderuar drejtuesit e këtij institucioni inovativ të arsimit të lartë në Kosovë që do të mbështesin kërkesën e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport për ndihmën profesionale në digjitalizimin e bibliotekës së qytetit.
Kërkesa për hartimin e Projektit për Qendrën Kulturore “Hasan Prishtina” nga ana e studentëve të këtij kolegji, që pastaj do të shkojë në formë garuese, kurse idetë më të qëlluara do të shpërblehen dhe implementohen, hasi në mirëkuptim të plotë te rektori Hajrizi e dekani Shala.
Në këtë takim u bisedua edhe për hartimin e strategjisë dhe planit zhvillimor të turizmit në Komunën e Vushtrrisë, i cili lidhet kryesisht me pasuritë e objekteve te trashëgimisë kulturore, për çka drejtuesit e UBT-së shprehën gatishmëri për ndihmë.