Po e nisim këtë letër të hapur si paralajmërim i përshkallëzimit të revoltës tonë kolektive ndaj mosndëshkimit eventual të ngacmuesit Xhevat Krasniqi nga ana e juaj.
Ne jemi në dijeni që këtë të enjte, Këshilli i Etikës mblidhet për të marrë vendim lidhur me rastin e denoncimit të Xhevat Krasniqit për veprën e ngacmimit seksual nga 27 studente të Fakultetit të Mjeksisë të Universitetit të Prishtinës. Paçka se ky rast i raportimit në grup është i paprecedentë dhe paraqet alarmim për shtrirjen pandemike të ngacmimeve seksuale brenda UP-së, çfarë kemi parë nga UP-ja këto javë jep indikacione të qarta se ju si trupa vazhdoni të aminstoni dhe rrjedhimisht normalizoni krimet seksuale brenda universitetit.
Duke qenë të vetëdijshme/ëm për këtë qasje të demonstruar nga ana juaj, ne po e nisim këtë letër për t’iu treguar që ne si aktiviste/ë, studente/ë dhe punëtore/ë brenda dhe jashtë UP-së, nuk do të tolerojmë që ky rast të kalojë pa përjashtim të profesorit ngacmues, Xhevat Krasniqi. Letra jonë vjen edhe si njoftim që ne tashmë kemi filluar të mobilizojmë grevë dhe bojkot të procesit mësimor ditën e enjte në të gjitha Fakultetet e UP-së nga radhët e studenteve/ëve, profesoreve/ëve dhe stafit administrativ dhe teknik.
Ky bojkot bëhet krahas mobilizimit për vazhdim dhe masovizim të protestave të nisura tashmë nga Lëvizja Feministe Studentore si kundërpërgjigje e animit tuaj në mbështetje të ngacmuesve seksualë brenda UP-së.
Ne ju paralajmërojmë që ne nuk do të qëndrojmë të qeta/ë dhe nuk do të tërhiqemi përderisa nuk ka përjashtim të Krasniqit dhe garantim të sigurisë për studentet dhe studentët e UP-së. Përkundrazi, ne do ta vazhdojmë rezistencën dhe kërkesën tonë për siguri dhe drejtësi për çdo studente dhe student të universitetit.
Duke uruar që do të vendosni sado pak drejtësi, ju përshëndesim,
Lëvizja Feministe Studentore
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist