Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në një familje në rrugën ‘Sami Gashi’ në Mitrovicë, ku një person dyshohet se ka kërcënuar me jetë nënën e tij.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 44-vjeçarja ka denoncuar rastin në Polici, ku ka bërë me dije se i biri tash e një kohë po i shkakton telashe të shumta.
Në ngatërresë e sipër, ai dyshohet se i ka bërtitur nënës së tij duke i thënë se do e mbys atë dhe vëllain e vogël.
E shqetësuar nga fjalët e të birit, gruaja ka rrëfyer para hetuesve policorë gjithë ngjarjen e rëndë.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore janë vënë në kërkim të të dyshuarit, mirëpo i njëjti është larguar në drejtim të panjohur dhe tashmë ndodhet në arrati.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Kanosje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.