Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, i njohur në luftë me nofkën “Komandant Ujku”, po mbahet i ndaluar në Belgjikë, vendin ku ishte duke jetuar. Ai u arrestua dje nga autoritetet belge në shtetin që është në kufi me Holandën, venein ku ndodhet paraburgimi në të cilin pritet që ai të dërgohet. Arrestimi i tij u bë në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Gjykata Speciale me seli në Hagë. Kjo gjykatë tha për Express se nuk ka asgjë të re në lidhje me transferimin e tij në paraburgimin e Hagës.
Shala, i cili gjatë viteve 1998-1999 kishte shërbyer në zonën e Dukagjinit si komandant në fshatin Dujakë, akuzohet për krime lufte. Aktakuza kundër tij është konfirmuar nga gjykatësi i procedurës paraprake të Speciales.
“Aktualisht nuk jemi në gjendje të sigurojmë ndonjë informacion shtesë nga njoftimi i publikuar dje për shtyp. Informacione të mëtejshme do të sigurohen kur të jenë në dispozicion”, i tha Gazetës Express të mërkurën, Angela Griep, zëdhënëse e Gjykatës Speciale.
Dhomat e Specializuara thanë dje përmes një komunikate për media se së shpejti do të publikohet aktakuza kundër Pjetër Shalës.
“Së shpejti do të jepet më shumë informacion ku do të përfshihet edhe informacion për nxjerrjen publike të aktakuzës së konfirmuar me redaktimet e nevojshme. Në bazë të rregullës 88 të Rregullores së Procedurës dhe Provave, aktakuza bëhet publike jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit”, thuhet në komunikatë.
Në shkurt të vitit 2019, Shala kishte thënë se ishte intervistuar nga hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë si i dyshuar.