Jashari priti gjeneralin amerikan: Së shpejti pritet dislokimi i kontingjentit të parë të FSK-së në Gaza

Prishtinë | 19 Maj 2026 | 13:04 | Nga Ekonomia Online

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka pritur në takim Zëvendës Shefin e J5/8 të Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (USEUCOM J5/8), Gjeneral Brigade Chris A. McKinney.

Fillimisht, të dy gjeneralët diskutuan për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara si dhe nevojën për rritjen e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

Pastaj, Gjeneral Jashari e njoftoi Gjeneralin McKinney për zhvillimet dhe të arriturat e FSK-së duke u fokusuar edhe në planet për të ardhmen që synojnë realizimin e aspiratave për anëtarësim në NATO.

Gjithashtu, të dy gjeneralët vlerësuan kontributin e FSK-së në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën (ISF), ku së shpejti pritet të dislokohet kontingjenti i parë nga FSK.

Në fund të takimit, Gjeneral McKinney falënderoi Gjeneral Jasharin për bashkëpunimin dhe lidershipin e tij gjatë kësaj kohe ku FSK është në fazën finale të PGJT-së, si dhe ritheksoi përkushtimin e USEUCOM-it për ta mbështetur FSK-në në të ardhmen.

Të ngjashme