Komandanti i misionit të udhëhequr nga NATO në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Enrico Barduani, priti sot në selinë e KFOR-it në Kampin Film City, Ambasadorët dhe Shefat e Misioneve nga 33 vendet aleate dhe partnere që kontribuojnë në këtë mision.
Në këtë takim të tretë gjatë mandatit të tij, u diskutua situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë dhe aktivitetet aktuale të KFOR-it në mbështetje të përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar.
Gjenerali Barduani falënderoi vendet kontribuese për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe theksoi përkushtimin e KFOR-it për një ambient të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së.