Komandanti i KFOR-it, gjeneral major Giovanni Fungo ka mbajtur një konferencë për medie gjatë ditës së sotme, duke shpalosur objektivat e të arriturat gjatë mandatit.
Fungo ka folur edhe për situatën e sigurisë në Kosovë, duke e vlerësuar gjendjen si të qetë. Sipas tij, pjesëtarët e FSK-së ndonëse nuk është Forcë e Armatosur janë njëjtë të përgatitur si ushtarët e KFOR-it.
Ai tha se prezenca e KFOR-it, nuk është e ndërlidhur me ndonjë periudhë kohore. Sipas tij KFOR-i do të largohet kur të plotësohen kushtet.
“Prezenca e KFOR-it në Kosovë, nuk është e lidhur me ndonjë periudhë të caktuar kohore. Por është e bazuar në bazë të kushteve. Dhe kur të plotësohen disa kushte, atëherë ne mund të ndryshojmë strukturën, misionin dhe detyrën të cilën KFOR, do ta ketë këtu në Kosovë. Kushtet janë që institucionet e Kosovës të jenë në gjendje të ofrojnë sa më shumë siguri. Për momentin siguria është e ndarë në tri nivele. Reaguesit e parë i kemi policinë e Kosovës, vija e dytë janë EULEX dhe agjencitë për respektim të ligjit dhe reaguesit e tretë janë KFOR-i”.
Komandanti i KFOR-it nuk sheh kërcënime në aspektin e sigurisë, derisa i ngriti lart bashkëpunimet me Policinë e Kosovës (PK), Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Eulex-in, raporton Ekonomia Online.
“Situata e sigurisë në Kosovë është mjaft e mirë. Nuk shoh ndonjë kërcënim. Aspektet e sigurisë janë zhvilluar në mënyrë shumë efikase. Kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Policinë e Kosovës, Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe EULEX-in për të ofruar ndonjë reagim në rast të ndonjë situate”.
Ai tha se misioni ka qenë për të siguruar ambient dhe lëvizje të lirë.
“Kemi pasur patrullime të përbashkëta me Policinë e Kosovës që të parandalojmë të gjitha aktivitetet ilegale që kanë ndodhur dhe ne do të vazhdojmë edhe më tutje. Ne jemi shumë krenar që kemi përdorur edhe metodat tona të buta përmes komandantëve të mi vartës, e gjithë kjo që të arrijmë rezultatet të suksesshme”, u shpreh Komandanti i KFOR-it.
Fungo ka komentuar takimet e rregullta me shefin e shtabit të Ushtrisë Serbe Lubisha Dikoviq i cili dyshohet për krime lufte në Kosovë.
Ai tha se nuk ka ndonjë ndjenjë të veçantë kur e takon Dikoviqin por se e ka kryer detyrën zyrtare kur e ka takuar atë dhe gjeneralët tjerë serbë.
Përveç shpalosjes së objektivave gjatë mandatit, KFOR-i të mërkurën do të mbaj një ceremoni të ndërrimit të komandës, ndërmjet komandantit në largim Fungos dhe komandantit të ardhshëm të KFOR-it gjeneral major Salvatore Cuoci.