Kombëtarja e Kosovës pret konsolidimin pas krizës

Prishtinë | 21 Nën 2021 | 13:33 | Nga Ekonomia Online

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) është duke biseduar me një numër trajnerësh nga vende të ndryshme për të siguruar trajnerin kryesor apo përzgjedhësin e Ekipit A të Kombëtares së Kosovës në futboll, konfirmon kryetari i kësaj federate, Agim Ademi.

Aktualisht, Ekipi A i Kombëtares së Kosovës në futboll është me ushtrues detyre të përzgjedhësit, pas largimit nga ky post të trajnerit Bernard Challandes, më 13 tetor të këtij viti. Ai e drejtoi ekipin e Kosovës që nga 2 marsi i vitit 2018.

Lirimi i Challandesit nga detyra pasoi humbjen e ndeshjes me Gjeorgjinë në Prishtinë, më 12 tetor, që ishte e fundit në rezultatet e njëpasnjëshme negative në kualifikimet për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.

Fushatën kualifikuese për Botërorin e ardhshëm, Kosova e ka përmbyllur e radhitur e fundit, me 5 pikë, në grupin B, ku bënin pjesë edhe Spanja, Suedia, Greqia dhe Gjeorgjia.

Njohësit e futbollit, Malsor Gjonbalaj dhe Arbnor Morina, të dy trajnerë të licencuar nga Federata Evropiane e Futbollit (UEFA), vlerësojnë se Kombëtarja e Kosovës në futboll, ka kaluar sfida për të formuar dhe konsoliduar një ekip kombëtar.

Por, pas sukseseve të para në Ligën e Kombeve, ku Kosova kishte shënuar 13 fitore radhazi, në garat kualifikuese të mëtejme për Kampionatin “Euro 2020” dhe më pas edhe për Kampionatin Botëror “Katari 2022”, Kosova, sipas tyre, shpejt ka marrë tatëpjetën.

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, thotë për Radion Evropa e Lirë se përzgjedhësi i ri i Kombëtares së Kosovës në futboll do të zgjidhet në fillim të vitit të ardhshëm.

Sipas tij, aktualisht ekziston një numër i trajnerëve nga vende të ndryshme, në mesin e të cilëve edhe emra të njohur të futbollit botëror, që kanë dhënë ofertat e tyre dhe janë duke biseduar me Federatën e Futbollit të Kosovës.

Por, ai thekson se Federata e Futbollit të Kosovës është e re dhe me buxhet jo të madh, krahasuar me vendet ku futbolli është industri e zhvilluar, duke aluduar se ofertat e disa trajnerëve të njohur botërorë nënkuptojnë edhe kërkesën e shumave të larta financiare, të papërballueshme për federatën që ai drejton.

Nisur nga kjo situatë, siç thotë Ademi, Komiteti ekzekutiv i kësaj federate do të përcaktojë buxhetin për përzgjedhësin e ardhshëm, ndërsa kritere për nënshkrimin e kontratës me të, do të jenë: ekonomia, puna e trajnerit dhe njohja e mentalitetit të futbollit të Kosovës.

“Do të bisedojmë, sigurisht, me të gjithë (ofertuesit), të paktën për t’i falënderuar që kanë konkurruar. Por, gjithsesi ne do ta ndajmë një grup final dhe do të bisedojmë me atë grup ku do të jenë tre ose pesë trajnerë të përcaktuar. Me ata pesë do të përfundojnë bisedimet dhe do ta zgjedhim më të mirin që është. Emra ka nga Brazili, Italia, Gjermania dhe të tjerë, në të gjithë Evropën. Ka emra jashtëzakonisht të mëdhenj, jashtëzakonisht trajnerë të mëdhenj. Nuk do të potencoj ndonjë emër, për të mos e nxjerrë sekretin e tyre. Nuk do të përmend emra, përveç atyre në grupin final”, thotë Ademi.

Ai shton se Kosova është duke pritur që gjatë muajit nëntor të përfundojë vala e skadimit të kontratave të disa trajnerëve në vende të ndryshme të botës, në mënyrë që të rritet numri i atyre që mund të ofertojnë për të qenë përzgjedhës i Kombëtares së Kosovës.

Gjonbalaj: Pa strategji zhvillimore, Kombëtarja nuk do të ketë sukses
Malësor Gjonbalaj, profesor në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe të Sportit, njëkohësisht edhe trajner i futbollit i licencuar nga UEFA, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë shpreh mendimin se një përzgjedhës i ardhshëm, cilido qoftë ai që do të angazhojë FFK-ja, nuk mund t’i përmirësojë mangësitë që ka shfaqur deri më tash Kombëtarja e Kosovës.

Sipas tij, njerëzit kompetentë duhet të hartojnë një strategji zhvillimore, jo vetëm për ekipin e parë, por për të gjitha kategoritë dhe brezat aktualë të futbollistëve, në mënyrë që të vendoset një bazë dhe planifikim afatgjatë.

“Pa një strategji të shkruar nuk mund të kemi suksese të nivelit të lartë. Në këtë aspekt, unë nuk jam person që dëshiroj t’ia atribuoj fajin dikujt, se kush mund të jetë fajtori i qindpërqindtë. Por, mund të them që në rast të mossuksesit, të gjithë njerëzit që janë trajnerë aty dhe që merren me organizimin sportiv të ekipit tonë, duhet të reflektojnë, sepse është përgjegjësi e tyre. Shqetësuese është nëse nuk arrihet të krijohet një strategji”, thotë Gjonbalaj.

Morina: Kampionati vendor, burim për fondin e lojtarëve
Arbnor Morina, trajner i licencuar nga UEFA, thotë se një prej defekteve që kanë shkaktuar rënien e suksesit të Kombëtares së Kosovës në gara kualifikuese ndërkombëtare, duhet kërkuar te fondi i lojtarëve.

Shumica e lojtarëve aktualë, siç thotë ai, kanë dalë nga kampionati i Kosovës dhe tashmë janë pjesë e klubeve të ndryshme evropiane dhe perëndimore në përgjithësi.

“Nga jashtë çfarë kam parë, mund të them që ka pasur futbollistë që kanë qenë tërësisht jashtë formës dhe futbollistë që nuk janë standard (në përbërjen e parë) te klubet e veta. Kur nuk jeni standard në klubin e juaj, ju nuk mund të jeni i dobishëm për ekipin (e Kosovës), sepse kur vini në ekip ju duhet të vini të përgatitur nga klubi. Do të thotë, nëse nuk je standard në ekip, atëherë nuk je standard as në Përfaqësuesen e Kosovës. Mendoj që nuk është i gjithë kualiteti i koncentruar në Evropë dhe mendoj që duhet të kthehet pak shikimi edhe nga kampionati vendor, sepse ka djem interesantë, të cilët mund të japin një efekt të ri në Përfaqësuesen e Kosovës”, thotë Morina.

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, e pranon që Kombëtarja e Kosovës ka kaluar nëpër një krizë, e cila, sipas tij, po shkon drejt fundit, ndërsa përpos trajnerit të ri, sipas tij, do të ketë edhe prurje të reja në fondin e lojtarëve. Por, siç thotë ai, prurjet e reja jo domosdo do të jenë nga ekipet që garojnë në kampionatin vendor.

“Këtu, pa kurrfarë kompromisi do të zgjidhen më të mirët, sepse të gjithë janë tanët dhe nuk bëj dallime të futbollistëve që janë në ligat tjera dhe në ligën tonë. Në ekipin kombëtar, kuptojeni që gjithmonë zgjidhen më të mirët e mundshëm. Gjithsesi, ata i përcakton trajneri dhe askush tjetër, nuk ka kurrfarë ndërhyrjeje. Pikërisht, duke mos pasur këso ndërhyrjesh, nuk përcaktohet që duhet medoemos, sepse jemi në ligë të Kosovës, për këtë ose atë arsye”, shprehet Ademi.

Ai shton se edhe Strategjia e planifikimit është duke u punuar me UEFA-n, ndërsa Strategjia zhvillimore ekziston edhe përmes projektit të UEFA-s, “Elite Youth” (Rinia Elite).

Kosova ka hyrë në garat e ndryshme ndërkombëtare, në kualifikimet për kampionatet evropiane dhe botërore, pas pranimit të saj në Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA), më 3 maj të vitit 2016, si dhe në Federatën Botërore të Futbollit (FIFA), më 13 maj të po atij viti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme