E pandalshme ishte për futbollistët e Kombëtares së Shqipërisë dyshja Yevheniy Konoplyanka dhe Andriy Yarmolenko. Dy lojtarët më të mirë të Ukrainës shënuan nga dy gola për t’ia shkaktuar Kombëtares shqiptare një humbje tjetër të thellë, me rezultatin 4:1, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ndeshja miqësore ndërmjet Shqipërisë dhe Ukrainës u zhvillua pasditen e së dielës në stadiumin “Stade Camille Dournier” në Evian të Francës. Prezent ishin rreth 700 shikues, thuajse të gjithë shqiptarë.
Humbja nga Ukraina për Shqipërinë ishte e dyta brenda pesë ditësh. Kombëtarja të martën pësoi 3:0 në Zuerich të Zvicrës nga Kosova. Pati kritika të mëdha për kuqezinjtë pas asaj ndeshjeje dhe paraqitjeje shumë të zbehtë. Pritej reagim i Kombëtares në ndeshjen ndaj Ukrainës, por ai nuk ndodhi.
Kombëtarja luajti dobët edhe të dielën, nëse jo më dobët se të martën ndaj Kosovës. Pati shumë telashe për Shqipërinë, shumë dobësi në mbrojtje e po ashtu në repartet e tjera. Humbja madje ka mundur të jetë edhe më e thellë…