Kombëtarja do të luajë në “Minatori”

Prishtinë | 11 Gus 2016 | 11:03 | Nga

Në Prishtinë palestra ende nuk është e gatshme.

Kombëtarja e Kosovës të mërkurën është nisur për në Como të Italisë, ku do të zhvillojë pesë ndeshje miqësore në periudhë prej shtatë ditësh. Ndeshjet miqësore në Itali përbëjnë fazën e parafundit të përgatitjeve të Kombëtares së Kosovës para miqësoreve me Qipron dhe Katarin që zhvillohen në Qipro disa ditë para fillimit të kualifikimeve për Eurobasket 2017.

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka kërkuar nga FIBA që t’i mundësohet ndryshimi i palestrës ku Kombëtarja e Kosovës i zhvillon ndeshjet si nikoqire. Një gjë të tillë e kanë bërë të ditur FBK nëpërmjet një komunikate për media:

“Për shkak të vonesave të shumta në rinovimin e palestrës së vogël të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë si pasojë e punës së ngadalshme të Departamentit të Sporteve të Kosovës (DSK), FBK është e detyruar që të zhvillojë ndeshjen e parë në palestrën e sportit ‘Minatori’ në Mitrovicë, me të pranuar lejen nga FIBA për një gjë të tillë.

Zhvendosja në Mitrovicë shkakton edhe shpenzime shtesë për FBK-në, meqë akomodimi i ekipeve duhet të bëhet në Prishtinë dhe probleme të tjera logjistike.

FBK-ja ka kontaktuar personat kompetentë në Komunën e Mitrovicës dhe KB Trepça me qëllim të përgatitjes sa më të mirë për zhvillimin e ndeshjes së parë në kuadër të kualifikimeve për Eurobasket 2017, ku ka hasur në bashkëpunim të ngushtë.

Gjithashtu FBK apelon tek institucionet e vendit, në këtë rast tek MKRS dhe DSK që të fillojnë dhe të intensifikojnë punët rreth rinovimit të palestrës në Prishtinë, pasi që kjo edhe ka qenë palestra, e cila është paralajmëruar në FIBA qysh në start”.

Ndeshjen e parë si nikoqire në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, Kosova do të luajë më 3 shtator kundër Ukrainës. Miqësoret e radhës në Como të Italisë Ndërkohë, Kombëtarja e Kosovës të mërkurën është nisur për në Como të Italisë, ku do të zhvillojë pesë ndeshje miqësore në periudhë prej shtatë ditësh.

Përzgjedhësi Arben Krasniqi për këtë udhëtim ka ftuar këta lojtarë: Scott Bamforth, Mirza Ahmetbashiq, Leonard Mekaj, Dardan Berisha, Edmond Azemi, Gazmend Sinani, Alban Veseli, Granit Rugova, Fisnik Rugova, Yll Kaçaniku, Drilon Hajrizi, Samir Zekiqi dhe Justin Doellman. Fundori Jaren Sina nuk do të jetë pjesë e ekipit në këtë udhëtim për shkak të obligimeve ndaj kolegjit të tij, gjegjësisht ndeshjeve para sezonale që kolegji do t’i zhvillojë në Japoni.

Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë ndeshjet sipas këtij orari: 11 gusht Kosova – Cedarville State; 12 gusht Kosova – Mississippi State; 13 gusht Kosova – University of Missouri; 16 gusht Kosova -Kansas State; 17 gusht Kosova – Athletes in Action.

Ndeshjet miqësore në Itali përbëjnë fazën e parafundit të përgatitjeve të Kombëtares së Kosovës para miqësoreve me Qipron dhe Katarin që zhvillohen në Qipro disa ditë para fillimit të kualifikimeve për Eurobasket 2017.

Ditë më parë Kosova i ka zhvilluar dy ndeshje miqësore në Tallinn ndaj Estonisë dhe në të dyja ka pësuar humbje, por pavarësisht kësaj basketbollistët tanë kanë pasur paraqitje të mira në parket. Sigal Prishtina rikthen Granit Rugovën Ndërkohë në nivel të klubeve, Sigal Prishtina e ka rikthyer Granit Rugovën në kryeqytet, pasi ai luajti për një kohë te skuadra e Bashkimit nga Prizreni. “Jam i lumtur që u ktheva te Sigal Prishtina.

Përveç një periudhe ku pata një lëndim dhe më pas kur luajta për Bashkimin unë tërë karrierën time kam qenë këtu.

E falënderoj klubin e Bashkimit që më dha mundësinë që të kthehem nga lëndimi”, ka deklaruar Rugova pas zyrtarizimit të rikthimit të tij në Prishtinë.

Ndërkohë, prishtinasit kanë sjell edhe përforcimin e parë të huaj për edicionin 2016/17, amerikanin Jabarie Hinds, derisa ditë më parë në krye të shtabit teknik e ka emëruar ish-trajnerin e Bashkimit, Petar Mijoviq.

Klubi i cili edicionin e kaluar e ka fituar kurorën e trefishtë në ditët në vazhdim ka premtuar prurje të reja, derisa në edicionin e ri ka paralajmëruar se përveç garave vendore do të garojë edhe në Ligën Ballkanike dhe në FIBA Europe Cup.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme