- Tifozët – 10 me yll, në mungesë të një note më të lartë. Harxhime me çmime normale, me çmime të larta, me çfarëdo çmimi, ata ishin pas ekipit kuq e zi, në çdo takim, duke mbytur rivalët, e duke mbështetur maksimalisht kombëtaren e futbollit, ndoshta si të vetmin simbol krenarie. Nuk kënaqen më me pjesëmarrjen dhe “lojën e bukur”, këtë duhet ta dinë trajnerët, lojtarët dhe zyrtarët.
- Silvinjo – 7. Ndërtoi një ekip që nuk hyn në fushë si inferior. Pikëpyetja e madhe është pse ekipi kthehet në inferior kur është në avantazh?! A do e shpjegojë ndonjëherë pse nuk hynë në lojë në minutat 60-65 në ndeshjen me Kroacinë Hoxha dhe Broja, madje ky i fundit fare? Në letër ne ishim humbës në të trija ndeshjet, por një trajner lexon lojën dhe jo letrat.
- Strakosha – 7.5. Me përjashtim të golit të parë kundër Italisë, nuk ka faj në asnjë gol tjetër. Me pritjet e tij ka shpëtuar portën shqiptare mëse një herë. Pasiguri të vogla, por të kuptueshme.
- Hysaj – 5. Është koha për ta mbyllur me kombëtaren. Po aty, Balliu-6. Goli me Spanjën nuk erdhi nga krahu i tij, por ama rreziqet më të mëdha erdhën nga krosimet e atij krahu.
- Gjimshiti-Ajeti – 7.5. Siguri, përqendrim, qetësi.
- Mitaj – 7. I qetë, elegant, me vetëbesim. Ndonjëherë i tepruar ky i fundit. E ardhme e sigurt për kombëtaren, sidomos nëse transferohet në një ekip në kampionatet kryesore ku të mësojë më shumë përveç talentit.
- Asllani – 8. Krosi në fund të ndeshjes me Italinë ishte manual alla Kroos-Modriç, mungonte vetëm finalizimi, që s’ishte në dorë të tij. Jep frymëmarrje, qetësi, qarkullim, inteligjencë.
- Ramadani – 6.5. Paraqitje relativisht të mira. Me Italinë do duhej dhe ndonjë sparkatë.
- Bajrami – 6.5. Me hope. Njëherë duket, njëherë zhduket. Atëherë kur i duhet më shumë kombëtares humbet.
- Qazim Laçi – 7. Çfarë duhet të bëjë ai e bën, madje edhe gol.
- Asani – 6.5. Duket se është në ekip thjesht për të majtën e tij të mrekullueshme, por që nuk ndezi në asnjë ndeshje. Ndoshta ka ndikuar edhe jo efikasiteti i krahut të majtë. E meriton të luajë në La Liga.
- Seferi – 6.5. Më shumë mbrojtës se sulmues. Shpirt gare, agresiv, por kaq nuk mjaftojnë për të shënuar dhe fitoret vijnë me gola në sulm, jo duke shpëtuar golat në portën tënde.
- Manaj – 5.5. Pothuaj asnjë shpërthim, asnjë driblim, vetëm ulje në fushë dhe sytë nga arbitri. Me një Kroaci në gjendje kome dhe me minutazhin e shërbimet e dhëna duhet të bënte diferencë. Shans i humbur me Italinë. I limituar.
- Hoxha – 7.5. Fantastik. Triblues, shpërthyes, superior kundër çdo lojtari. Të kuptueshme përpjekjet për të zgjidhur vetë gjithçka. Së bashku me Brojën bëhen të frikshëm.
- Broja – 7.5. Me të dyja këmbët, me një këmbë, apo pa këmbë fare mbetet sulmuesi më i mirë që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Qajmë mungesën e tij edhe për pak minuta me Kroacinë. Vetëm shkelmat dhe tërheqjet mund ta ndalojnë. Ka mentalitet fituesi, nuk kënaqet me barazimin, apo humbjen me dinjitet.
- Duka – 3. Pse duhet ta shohim në çdo foto edhe zyrtare të kombëtares, në stërvitje, në intervista pas ndeshjes, në intervista para ndeshjes, në komente në studio, në video të lojtarëve, në fushë, në stadium…?! E sigurt: Asnjë shqiptar nuk ka prerë biletën dhe paguar hotelin, apo zbarkuar në sheshe e lokale, për të parë a dëgjuar presidentin e FSHF-së, ndaj jo vetëm ky, por edhe gjithë ata me kostume josportive, duhet të heqin dorë nga shfrytëzimi i kombëtares për të marrë pëlqim tifozësh mbi vete.
- Emisionet shqiptare për Europianin – 2. Kjo notë vetëm për mundimin.
PS: Mendim futuristik: Kombëtares shqiptare i duhet një trajner me peshë, me emër, tip Joakim Lëv, kur të fillojnë eliminatoret e botërorit. Vetëm tek një trajner i tillë nuk ka dyshime për ndërhyrje, për skema me agjentë, grupazhe brenda ekipit, apo të tjera si këto. Ajo tifozeri duhet respektuar.