Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF ka publikuar Raportin e Monitorimit “Shërbime sociale afër qytetarit”.
KOMF ka monitoruar procesin e decentralizimit të shërbimeve sociale për vitin 2021 dhe ka hartuar Raportin e Monitorimit, i cili ka si qëllim kryesor pasqyrimin e gjendjes aktuale mbi ofrimin e shërbimeve sociale si dhe krahasimin e shërbimeve sociale me dy vitet paraprake. Raporti ofron të gjetura si dhe rekomandime lidhur me menaxhimin e shërbimeve, financimin, monitorimin, inspektimin dhe llogaridhënien e shërbimeve sociale.
Paneli i diskutimit i përbërë nga Donjetë Kelmendi, drejtore Ekzekutive e KOMF; Besnik Bislimi, zëvendës-kryeministër i Kosovës; Fatmire Mullhaxha, deputete; si dhe Naim Qelaj, Avokat i Popullit, diskutuan mbi të gjeturat dhe rekomandimet e Raportit të Monitorimit.
Drejtoresha e KOMF-it, Kelmendi, tha se krijimi i një granti të veçantë do t’i ndihmonte në zgjidhjen e problemeve për shërbimet sociale.
“Në këto katër vitet e fundit i kemi identifikuar problemet për zgjedhjen e problemeve sociale. Krijimi i një granti të veçantë që do të ndihmonte në zgjidhen problemeve për shërbimet sociale. Ne kemi ligje shumë të mira që i dedikohen mbrojtjes sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve, ku para dy vitesh ka hyrë në fuqi ligji për mbrojtën e fëmijëve, por ky ligj edhe ai për mbrojtjen e sociale dhe një mori ligjesh të tjera nuk po mund të gjejnë zbatim për shkak të mungesës së financimit të shërbimeve sociale”, tha ajo
Kurse, zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, tha se Qeveria Kurti ka prioritet drejtësinë dhe punësimin.
“Qeveria Kurti ka cek vetëm dy prioritete në nivel makro-ekonomik, drejtësi dhe punësim, për arsye se ne shohim se …si mekanizma të cilat do të mundësojnë dy gjëra; e para, rritjen e punësimit e cila është në relacion të drejtpërdrejt me zbutjen e varfërisë dhe me shërbimet sociale, por të njëjtën kohë edhe zotërimin e drejtësisë e cila do të ndikonte në uljen e numrit të dhunës në familje”.
“Ne kur takohemi në nivel ndërkombëtar e prezantojmë një rritje ekonomike. Në themi Në vitin 2021 për kundër sfidave të pandemisë, rritja ekonomike ka qenë dyshifrore dhe këtë e tregojmë për përkushtimin tonë që në një afat ta vendosim Kosovën në një trajektore të re të zhvillimit por e themi edhe këtë se për neve rritja ekonomike është e rëndësishme atëherë kur është e qëndrueshme dhe e barabartë”, tha Bislimi, raporton EO.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se e kanë kryer një hulumtim lidhur me ndikim e pandemisë në të drejtat e njeriut. Sipas tij, një segment i veçantë iu është kushtuar shërbimeve sociale dhe vështirësive me të cilat janë përballur ofruesit e lëtyre shërbimeve në këtë kohë.
“Për Avokatin e Popullit është shqetësuese fakti se dy ligje të veçantë për shërbimet sociale, siç është ligji për shërbimet sociale dhe ligji për financat e pushtetit lokal. Viti 2021 dhe 2021, padyshim ishin vite të vështira për shoqërinë tonë si pasojë e Covid-19 dhe në këtë periudhë Avokati i Popullit ka kryer edhe një hulumtim në lidhje me ndikimin e pandemisë në të drejtat e njeriut, ku një segment i veçantë iu është kushtuar shërbimeve sociale dhe vështirësive me të cilat janë përballur ofruesit e lëtyre shërbimeve në këtë kohë. Kjo është evidentuar në raportin vjetor ku është theksuar se ndërprerja dhe pezullimi i disa shërbimeve shëndetësore, ka përkeqësuar gjendjen shëndetësore, kryesisht të fëmijëve, duke përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuara, pra ndërprerja e shërbimeve terapike dhe fizioterapike”, tha ai.
Bukurezë Surdulli nga KOMF prezantoi të gjeturat dhe rekomandimet kryesore. Sipas raportit, proceset e nisura legjislative që rregullojnë shërbimet sociale dhe financimin e tyre, kanë vazhduar të zvarriten dhe nuk kanë arritur të përmbyllen. Përkundër parashikimeve të planit legjislativ të Qeverisë për vitin 2021, dy projektligjet kryesore që pritet të ndikojnë në decentralizimin dhe avancimin e shërbimeve sociale, që janë Ligji për Shërbime Sociale dhe Familjare dhe Ligji për Financat e Pushtetit Lokal, nuk janë proceduar ende për miratim.
Financimi i shërbimeve sociale ishte sfida kryesore në ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare për vitin 2021. As në vitin 2021, nuk ka pasur ndonjë progres sa i përket decentralizimit të buxhetit për shërbime sociale.
Surdulli përmendi faktin se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka rritur shumën e financimit të shërbimeve të sektorit joqeveritar në krahasim me vitin 2020. Po ashtu, nga shtatë komunat e monitoruara, progres ka pasur vetëm Komuna e Prishtinës e cila ka shënuar rritje të financimit për sektorin joqeveritar në tri vitet e fundit.
Gjatë vitit 2021, kapacitetet e komunave për menaxhim dhe ofrim të shërbimeve sociale kanë vazhduar të jenë të mangëta sikur në dy vitet paraprake. Aktualisht, mungojnë aktivitete të ngritjes së kapaciteteve për planifikim dhe menaxhim të buxhetit, mungon vlerësimi i nevojave në secilën komunë dhe bashkëpunimi i mirëfilltë në mes të QPS-ve dhe DSHMS-ve për hartim të një planifikimi buxhetor të përbashkët konform këtyre nevojave.
Mandati i monitorimit dhe inspektimit i shërbimeve sociale ka vazhduar të jetë i pa qartë dhe i pa definuar. Njësia për Monitorim dhe Inspektim në kuadër të MFPT ende nuk ka kompetenca ekzekutive, gjë që e zbeh rolin e inspektimit tek ofruesit e shërbimeve sociale. Në vitin 2021, asnjë nga ofruesit e shërbimeve nuk ka pasur monitorim të mirëfilltë nga komunat – DSHMS-të apo monitorim të jashtëm. Komunat nuk i kanë instrumentet dhe kapacitetet e nevojshme për të zhvilluar proces të monitorimit për ofruesit e shërbimeve sociale.
Nevoja për shërbime sociale ka qenë në rritje edhe përgjatë vitit 2021, sidomos rastet e dhunës në familje, ndërsa kapacitetet e ofruesve të shërbimeve sociale nuk janë shtuar.
“As në vitin 2021 në asnjë nga Qendrat për Punë Sociale nuk ka pasur financim të veçantë nga komunat të dedikuara për shërbime sociale”, tha ajo, duke shpalosur raportin.
Nevoja për shërbime sociale ka qenë në rritje edhe përgjatë vitit 2021, sidomos rastet e dhunës në familje, ndërsa kapacitetet e ofruesve të shërbimeve sociale nuk janë shtuar.
Ndërsa, disa nga rekomandimet kryesore të këtij Raporti janë:
· Miratimi sa më shpejt i Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare;
· Miratimi sa më shpejt i Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal dhe Grantit Specifik për Shërbime Sociale;
· Hartimi i formulës së financimit për shërbimet sociale nga MFPT;
· Krijimi i një skeme të qëndrueshme nga MFPT dhe nga komunat për kontraktimin e shërbimeve sociale dhe familjare nga sektori jo qeveritar;
· Zhvillimi i programeve të akredituara për ofruesit e shërbimeve sociale konform standardeve minimale dhe kërkesave të licencimit nga MFPT;
· Realizimi i analizës me nevojat e qytetarëve për shërbime sociale në secilën komunë;
· Ngritja e kapaciteteve të DSHMS-ve për planifikim, menaxhim dhe monitorim të shërbimeve sociale. Ngritja e kapaciteteve të QPS-ve për ofrimin e shërbimeve sociale;
· Zhvillimi i procesit dhe instrumenteve për monitorim të ofruesve të shërbimeve sociale;