Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, i cili përfaqëson njëzet e nëntë organizata jo qeveritare që punojnë në fushën e të drejtave të fëmijëve, në ditën e 1 Qershorit Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, i bën thirrje Kuvendit të Republikës së Kosovës të miratojnë sa më parë Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve.
Projektligji për Mbrojtjen e Fëmijëve tash e sa vite është inicuar duke mos arritur të miratohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
KOMF bën me dije që gjendja e fëmijëve në Kosovë është e rëndë. Të dhënat e fundit flasin për një shkallë të varfërisë së fëmijëve prej 20.7%. 10.7% e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë, përderisa 6.8% prej tyre punojnë në kushte të rrezikshme. 61.4 % e fëmijëve në Kosovë kanë deklaruar që kanë përjetuar dhunë fizike apo psikologjike gjatë muajit të fundit të intervistimit, kur është bërë hulumtimi. Vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara kanë qasjë në shërbime cilësore shëndetësore, sociale dhe arsim.
Raportet nga institucionet qeveritare dhe joqeveritare flasim për rritjen e përfshirjes së fëmijëve në sjellje që janë në kundërshtim me ligjin, përfshirë edhe dhunën, pasojat e së cilës në disa raste kanë qenë fatale për vetë fëmijët.
Duke patur për bazë gjendjen e rëndë të fëmijëve në Kosovë, KOMF kërkon nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ta vë prioritet dhe të miratojë Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve.
Projektligji për Mbrojtjen e Fëmijës ka për qëllim të mbrojë fëmijën nga të gjitha format e dhunës abuzimit, keqpërdorimit, shfrytëzimit, neglizhimit apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijës. Projektligji ka qëllim të garantojë dhe sigurojë përgjegjësitë e prindërve, familjes, organit të kujdestarisë, shoqërisë dhe të shtetit në kujdesin, mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijës bazuar në interesin më të lartë të fëmijës si dhe ngritjen e sistemit të integruar e funksional të mbrojtjes së fëmijës, për parandalimin dhe përgjigjen efikase ndaj të gjitha formave të dhunës, abuzimit, shfrytëzimit e neglizhimit.