Në ditën e shënimit të 30 vjetorit të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF iu bën thirrje institucioneve të marrin të gjitha veprimet përgatitore për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, në mënyrë që të sigurojë mbrojtjen e fëmijëve.
Në qershor të këtij viti, Kosova për herë të parë ka miratuar Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, i cili ka për qëllim të mbrojë fëmijën nga të gjitha format e dhunës abuzimit, keqpërdorimit, shfrytëzimit, neglizhimit apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijës. Ky ligj do të hy në fuqi një vit pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
KOMF rithekson që gjendja e fëmijëve në Kosovë është e rëndë. Të dhënat e fundit flasin për një shkallë të varfërisë së fëmijëve prej 20.7%. 10.7% e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë, përderisa 6.8% prej tyre punojnë në kushte të rrezikshme. 61.4 % e fëmijëve në Kosovë kanë deklaruar që kanë përjetuar dhunë fizike apo psikologjike gjatë muajit të fundit të intervistimit, kur është bërë hulumtimi. Vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara kanë qasjë në shërbime cilësore shëndetësore, sociale dhe arsim. Raportet nga institucionet qeveritare dhe joqeveritare flasin për rritjen e përfshirjes së fëmijëve në sjellje që janë në kundërshtim me ligjin, përfshirë edhe dhunën, pasojat e së cilës në disa raste kanë qenë fatale për vetë fëmijët.
KOMF mbetet i përkushtuar të mbështesë reformën e mbrojtjes sociale të fëmijëve, që garanton mbrojten e fëmijës, me fokus fëmijët e cenueshëm: fëmijët pa kujdes prindëror, fëmijët viktima të abuzimit, fëmijët e përfshirë në punë të rënda, fëmijët me aftësi të kufizuara, etj. KOMF do vazhdojë të mbështesë zhvillimin në fëmijërinë e hershme dhe të avokojë për rritjen e cilësisë dhe integrimin e shërbimeve të mirëqenies sociale, shëndetësisë dhe arsimit. KOMF si koalicion i 29 organizatave joqeveritare, bazuar në objektivat e saj do vazhdojë fuqizimin e organizatave lokale në fushën e mbrojtjes së fëmijëve.