KOMF: Të drejtat e fëmijëve nuk duhet të ekzistojnë vetëm në letër

Prishtinë | 20 Pri 2017 | 15:41 | Nga

Koalicioni Rajonal për Mbrojtjen e Fëmijëve (ChildPact) dhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) publikuan një studim krahasues ndërmjet rezultateve të Indeksit të Mbrojtjes së Fëmijës dhe Raportit të Progresit të Bashkimit Evropian për Kosovën, duke e vënë theksin në një sërë veprimesh që Kosova duhet të ndërmarrë për të zhvilluar më tej kapacitetet e saj për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve.

Raporti i Progresit i BE-së dhe Indeksi i Mbrojtjes së Fëmijës kanë theksuar se zbatimi i kornizës ligjore të Kosovës për të drejtat e fëmijës duhet të jetë prioritet kyç i qeverisë.

Në panel morën pjesë Avokati i Popullit Hilmi Jashari, Zëvendës Shefi i Zyrës së UNICEF në Kosovë, James Mugaju dhe Drejtoresha Ekzekutive e KOMF,  Donjeta Kelmendi.

Në studim thuhet se problemi kryesor në këtë fazë është hendeku i madh mes politikave dhe zbatimit dhe është e rëndësishme që korniza ligjore të zbatohet e jo vetëm të jetë në letër.

Po ashtu u tha se burimet e mjaftueshme buxhetore duhet të jenë të dedikuara për të siguruar se të drejtat e të gjithë fëmijëve në Kosovë janë të mbrojtura, dhe gjithashtu në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.

“Raporti i Progresit të BE-së dhe Indeksi i Mbrojtjes së Fëmijës kanë theksuar se zbatimi i kornizës ligjore të Kosovës për të drejtat e fëmijës duhet të jetë prioritet kyç i qeverisë. Raporti propozon një krahasim të tërthortë i cili përcjell përmbledhjen e Raportit të Progresit të BE-së për çështjet e fëmijëve duke u ndërlidhur me ato indikatorë të Indeksit, ku Kosova ka shënuar rezultat negativ ( rezultati 0 – duke mos qenë aspak në përputhje me standardet e parashikuara)”, thuhet në njoftim.

Kosova duhet të bëjë një investim të fuqishëm financiar që të ndërtojë kapacitetin e duhur për të mbyllur hendekun mes legjislacionit dhe zbatimit të tij.

“Kosova ende duhet të bëjë shumë përpjekje në luftimin e trafikimit të fëmijës dhe punës së rëndë të fëmijës, duke bërë një koordinim më efektiv mes autoriteteve të përfshira në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Kosova duhet të sigurojë kujdes më të mirë për fëmijët me aftësi të kufizuara”, thuhet më tej.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme