Me qëllim të mbrojtjes së fëmijëve, krijimit të një ambienti të sigurtë, për të siguruar standardet e sjelljes dhe praktikës profesionale dhe për të siguruar që asnjë dëm nuk do t’ju ndodhë në asnjë situatë fëmijëve gjatë përfshirjes së tyre në institucione dhe organizata, KOMF i bën thirrje të gjitha institucioneve, organizatave jo qeveritare dhe organizatave fitim prurësese, të cilat punojnë apo kanë kontakt me fëmijë, të hartojnë dhe të adaptojnë standardet minimale përmes krijimit të politikës së brendshme të institucionit/organizatës për mbrojtjen e fëmijës.
Sipas konventave ndërkombëtare, Kushtetutës së Republikës së Kosovës si dhe legjislacionit përkatës në fuqi, institucionet dhe organizatat që punojnë apo janë në kontakt me fëmijë, kanë për detyrë absolute të mbrojnë fëmijët nga dhuna, abuzimi, keqtrajtimi, dhe shfrytëzimi, duke filluar brenda institucionit apo organizatës.
Pa standarde dhe mekanizma adekuat për mbrojtjen e fëmijëve, një institucion jo vetëm që dështon në detyrën e tij primare të mbrojtjes, por gjithashtu mund të neglizhojë ose të nxisë një mjedis abuziv. Institucionet dhe organizatat pa procedura të duhura dhe të qarta, rrezikojnë të infiltrohen nga persona, siç janë pedofilët, të cilët përpiqen të abuzojnë me fëmijët.
Aktualisht institucionet publike në Kosovë nuk kanë standarde minimale për krijimin e një ambienti mbrojtës për fëmijët.
KOMF i bën thirrje institucioneve publike arsimore, shëndetësore, organeve të rendit dhe drejtësisë dhe organizatave të cilat punojnë apo kanë kontakt me fëmijë, të hartojnë menjëherë standardet minimale, bazuar në specifikat e institucionit/organizatës, për të garantuar një ambient të sigurtë dhe mbrojtës për fëmijët.
Krahas hartimit të standardeve minimale, KOMF rekomandon fuqishëm këto institucione, që të bëjnë edhe ngritjen e kapaciteteve të personelit për zbatimin e standardeve minimale dhe implementimin e politikës për mbrojtje të fëmijëve.
Me qëllim të vetëdijësimit të akterëve relevant (institucione, organizata dhe të tjerë), gjatë vitit 2018 KOMF ka publikuar modelin e Politikës për Mbrojtjen e Fëmijëve – standardeve minimale, me parimet dhe kornizat e përgjithshme që duhet të përmbajë një politikë.
Politika shërben si një mjet që rrit vetëdijen dhe të kuptuarit e përbashkët mbi abuzimin, si dhe krijon një sistem parandalimi, reagimi dhe mbrojtjeje për fëmijët ndaj rrezikut potencial dhe formave të ndryshme të abuzimit. Megjithatë secili institucion dhe organizatë duhet të hartojë politikën dhe standardet e brendshme në përputhje me specifikat e institucionit.
Edhe njëherë, KOMF shpreh vullnetin dhe gadishmërinë të mbështesë institucionet dhe organizatat në hartimin e standardeve minimale por edhe në ngritjen e kapaciteteve të profesionistëve në zbatimin e tyre.