Presidentja Osmani vizitoi institucionet që do të kujdestarojnë në ndërrimin e viteve

Prishtinë | 31 Dhj 2021 | 16:37 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në ditën e fundit të vitit ka vizituar, Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Qendrën Operative Komunikuese Koordinuese, Stacionin Qendra të Policisë, si dhe Brigadën e Zjarrfikësve.

Në Klinikën Emergjente, Presidentja ishte e shoqëruar nga zëvëndësministrja e shëndetësisë, znj.Dafina Gexha. Në takim me drejtuesit dhe stafin, Presidentja Osmani ka uruar që gjatë kujdestarisë në ndërrimin e moteve të ketë sa më pak angazhim për ta, duke falenderuar të gjitha institucionet shëndetësore për punën që po bëjnë në menaxhimin e pandemisë. Ajo ka falënderuar gjithë stafin mjekësor që kujdestarojnë në natën e ndërrimit të motmoteve.

Në Qendrën Operative Komunikuese Koordinuese si dhe në Stacionin e policisë Qendra, Presidentja Osmani është shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe drejtori i përgjithshëm i policisë, Samedin Mehmeti.

Presidentja Osmani ka përgëzuar Policinë e Kosovës për angazhimin përgjatë këtij viti, duke potencuar posaçërisht punën e tyre për sigurinë e qytetarëve por edhe ndihmën që kanë dhënë në menaxhimin e pandemisë. Ndërkaq në vizitë te Brigada e Zjarrfikësve, Presidentja ka vlerësuar angazhimin e tyre me shpresën se nata festive do ta kalojë pa pasur nevojë për ndërhyrjen e tyre.

Në të tri institucionet, të cilat do të kujdestarojnë në ndërrimin e viteve, Presidentja i ka uruar dhe i ka inkurajuar ata për punën që bëjnë për sigurinë qytetare në festat e fundvitit me urimin që viti 2022, do të jetë vit i sukseseve jo vetëm për ata, por për gjithë shtetin e Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme