Aktivisti i Vetëvendosjes nga Shqipëria, Arbër Zaimi, ia kujton Visar Ymerit se nuk pajtohet me atë thënien “të gjithë jemi të zëvendësueshëm” pasi për të secili është i pazëvendësueshëm në vetvete. Sigurisht që kur e thotë këtë Zaimi, aludon në Albin Kurtin. Por, për aktivistin e VV’së nga Tirana, problemi krijohet kur ka situata të tilla “ o ti o unë”.
“Visari vërtet ka qenë aktivist shembullor dhe është po ashtu njeri i mirë. Unë nuk pajtohem me thënien “të gjithë jemi të zëvendësueshëm”, për mua secili është i pazëvendësueshëm në vetvete. Por problem është kur krijohen situata përjashtuese të llojit “o ti o unë”. Visari nuk është dashur të japë dorëheqje thjesht pse kandidoi Albini. Albini me sa dimë ne nuk ka bërë asgjë të dënueshme, që dikush t’i thotë “nëse kandidohesh ti, unë dorëhiqem””, është shprehur Zaimi.
Tutje ai thotë se nëse dikush i paska bërë ndonjë gjyq të fshehtë dhe paska dhënë verdiktin se Albini është fajtor, ndaj nuk bën të kandidojë, atëherë është mirë të u tregojë të gjithëve se çfarë fajo ka Albini që po ndëshkohet kështu.
“Në një organizatë politike masive kaq heterogjene e heterodokse, kryetar duhet të jetë personi i cili me idetë e veprimet e veta prodhon pajtueshmërinë krahasimisht më të madhe. Ndaj kandidimi i Albinit nuk është as krim, as kult, as hakmarrje. Mos iu bashkoni atyre që sport të preferuar kanë përbaltjen e pengesën e Albinit.”, ka përfunduar ai.