Të mërkurën, Kuvendi i Kosovës pas një seance maratonike me fjalime e gaz lotsjellës, miratoi marrëveshjen për demarkimin e kufirit me Malin e Zi. Miratimi i kësaj marrëveshje ishte edhe kriteri i 95-të i vënë nga Bashkimi Evropian, para heqjes së regjimit për viza ndaj qytetarëve të Kosovës.
Pas plotësimit të këtij kriteri të fundit, në Kosovë do të vije për vizitë Komisioneri për Punë të Brendshme i BE-së, Dimitris Avramopoulos.
Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline, vet ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, sipas së cilës, ky zyrtar i lartë së shpejti do të vizitoj Kosovën.
“Në telefonatën që kam zhvilluar me Komisionerin Avramopoulos më ka konfirmuar se shumë shpejt planifikon të vizitojë Kosovën”, ka thënë Hoxha.
Sipas saj, me këtë vizitë, Avramopoulos do të rikonfirmoj miqësinë që ka për Kosovën.
“Ai do të vije për të rikonfirmuar përkrahjen që ai si mik i Kosovës i ka dhënë dhe do ti jap qytetarëve të Kosovës dhe Republikës së Kosovës, sa i përket procesit të liberalizimit të vizave”, ka thënë tutje Hoxha.
Ndërkaq, vet Avramopoulos pas kalimit të demarkacionit në Kuvend të Kosovës, ka thënë se do të ishte njeriu më i lumtur nëse do të vendoste nënshkrimin e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.