E plotësuar: Komisionerja e BE-së për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, Mariya Gabriel, tha se Kosova duhet ende të punojë për liberalizimin e vizave, raporton Ekonomia Online.
Ajo pas takimit me zv.kryeministrin Enver Hoxhaj, ministrin e Inovacionit, Besim Beqaj dhe atë të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, shtoi se tash i mbetet institucioneve që të punojnë me vendet veç e veç në mënyrë që vizat të hiqen shumë shpejt.
“Kosova ka punuar shumë për të fituar liberalizimin e vizave. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian flet në një zë dhe ne fuqishëm e mbështesim. Duhet të vazhdojmë të punojmë me Këshillin”.
“Është e rëndësishme që të vazhdohet me shtetet anëtare që ato të marrin vendimin sa më shpejt që është e mundur. Vazhdoni të besoni në vetvete mos shikoni në disa argumente të jashtme. Vazhdoni që të punoni përbrenda vendit tuaj dhe kjo është pjesë e procesi”.
Kur foli për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, projekt të cilin Banka Botërore (BB), ka deklaruar se nuk do ta përkrah, ajo tha se institucioni që përfaqëson mbështes këtë projekt, por që Kosova duhet të jetë e kujdesshme në këtë investim të madh.
“Ne kemi dërguar një mesazh pozitiv për Kosovën se ka vendim për të investuar deri në 30 milionë deri në 2020”.
“Inkurajojë autoritete që të vazhdojnë të punojnë. Ne si komision evropian mbesim përgjegjës. Mund të llogarisni në mbështetjen tonë por është përgjegjësia juaj që të mbesni efektiv dhe efikas”.
Sipas saj, Kosova mund të jetë partner kyç i shfrytëzimit të inovacionit për zhvillim të qëndrueshëm. Ajo foli edhe për uljen e tarifave të roamingut në rajon.
“Kosova mund të jetë një nga partnerët tanë kyç për të përdorur digjitalizimin si një motor të ekonomisë. Është një perspektivë e madhe për ne si evropian si pjesë e kësaj Evrope”.
“Dëshiroj që menjëherë të theksoj se si bashkëpunimi jonë nuk është vetëm me fjalë të bukura është një gjë konkrete për qytetarët tanë dhe vendet tona”.
“Tani është koha që të realizojmë me dimensione shumë konkrete. Për zvogëlimin e tarifave të roamningut po punojmë me zell, ne dëshirojmë që të kemi një marrëveshje të re për rajonin”.
Për vizat foli edhe nikoqiri i këtij takimi, zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj. Edhe pse pranoi që duhet të punohen më shumë me shtetet anëtare, kërkon nga BE që të jetë fer me Kosovën në këtë drejtim.
“Komisioni Evropian ka qenë i qartë, Parlamenti Evropian ka qenë i qartë ne na duhet të punojmë. Unë ende nuk jam me atë që të ngrisim shumë tensionin në publik, të punojmë më shumë me kryeqytete. Në fund të vitit do të shihet se a është BE fer me Kosovën apo jo, a është i drejt me Kosovën a jo?”.
“Nëse ka një test që mat kredibilitetin e Evropës në raport me Kosovën është liberalizimi i vizave. Do të ishte ironi që mandej ne në 2019 të besojmë që BE-ja do ta bindë Serbinë që ta njoh Kosovën, nëse nuk ka kapacitete të brendshme të marrë vendim për liberalizimin”.
“Është një vendosmëri e kryetarit të Kuvendit që me çdo kusht ta kem një unitet një platformë se si të përfaqësohemi në dialog me Serbinë. Ka një grup të njerëzve që vendi duan të mbeten në status-quo dhe një shembull i tillë është Maqedonia. Dallimi është mes atyre që duan të mbajnë vendin në status-quo dhe atyre që janë të vendosur të shkojnë në dialog dhe të nxjerrin më të mirën të mundshme”.
Hoxhaj ka falënderuar komisioneren për mbështetjen e vazhdueshme, duke kërkuar përkrahje për uljen e tarifave të roamingut.
“Zonja Gabriel në pozita të ndryshme politike ka qenë përkrahëse e Kosovës. Kem biseduar edhe për atë që të ulet tarifa e roamingut për vendet e rajonit me gjithë qasja në informata nuk do të ishte pa uljen e roamingut”.
Komisionerja e BE-së takohet me Hoxhajn, Llukën e Beqajn
Komisionerja e BE-së për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, Mariya Gabriel, është pritur në takim nga zv.kryeministri Enver Hoxhaj, ministri i Inovacionit, Besim Beqaj dhe ai i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.
Pas takimit do të ketë edhe konferencë për medie, raporton Ekonomia Online.
Gabrel do të jetë pjesë e konferencës “DIGITALKS”, e cila u hap mbrëmë. Në pesë panele do të diskutohet për temat “Ekonomia Digjitale- shtytës i zhvillimit ekonomik“, “Roli i Inovacionit në të ardhmen e digjitalizimit për vendet e Ballkanit Perëndimor”, “Ndikimi i Inovacionit dhe Teknologjisë në rritjen e konkurrueshmërisë në sektorin privat”, “Ndikim i Inovacionit, hulumtimit dhe zhvillimit në mes të sektorit privat dhe komunitetit të shkencës”, si dhe “ Parku Gjermano-Kosovar për Inovacioni dhe Trajnime”.
Para pjesëmarrësve të konferencës do të flasin kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli; zv.kryeministri Enver Hoxhaj; dhe ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësise, Besim Beqaj.