Kardiologu Gani Bajraktari i cili ishte përjashtuar nga puna si shërbyes publik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, do t’i rikthehet punës të hënën.
Komisioni Disiplinor i QKUK-së duke shfuqizuar vendimin e korrikut të vitit të kaluar, ka vendosur që Bajraktari “kthehet në vendin e mëparshëm të punës, kardiolog në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK”.
Në arsyetimin e komisionit thuhet se “dr. Gani Bajraktari nuk ka qenë neglizhent në trajtimin e pacientit, ngase ishte bërë kërkesa për ta ftuar kardiologun invaziv, ku pas disa minutave vie kardiologu invaziv dhe i ofrohet ndihma mjekësore pacientit, ku gjendja e pacientit përmirësohet dukshëm”.
Në korrik të vitit 2019, Gani Bajraktari ishte përjashtuar nga QKUK-ja për mos ofrim të ndihmës mjekësore pas ankesave të pacientëve në Klinikën e Kardiologjisë, raporton KOHA.
Ndërsa, të premten vetë Bajraktari ka reaguar përmes një postimi në Facebook.
Ai ka shkruar se nga e hëna do të rikthehet në institucionet publike, teksa e ka quajtur padrejtësi vendimin e përjashtimit të tij, siç thotë ai, nga “grupi i organizuar kriminal” që po u bën dëme pacientëve, mjekëve dhe buxhetit të shtetit.
“Përfundimisht ngadhënjeu drejtësia ndaj padrejtësisë së shkaktuar nga grupi i organizuar kriminal, i cili bëri krime të pariparueshme ndaj pacientëve në nevojë të cilët u privuan nga e drejta për mbikëqyrje profesionale, krime ndaj mjekëve të ri të cilët u privuan nga e drejta për një shkollim të mirëfilltë, krime ndaj dëmtimit të buxhetit të shtetit që sërish do paguaj mijëra euro të taksapaguesve”, ka shkruar ai.