Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport ka marrë vendim për shpalljen e konkursit për anëtarë të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, raporton Ekonomia Online.
Në mbledhjen e mbajtur ky Komision ka miratuar edhe fushëveprimtarinë e tij, ku u tha se bashkëpunimi me komisionet parlamentare te vendeve tjera duhet të rritet.
Anëtari i Komisionit nga VV-ja, Fitim Uka, tha se në mesin e përgjegjësive është edhe inicimi i ligjeve, dhe se duhet bërë atë. Ai po ashtu përmendi edhe bashkëpunimin me komisionet parlamentare të vendeve të Evropës.
“Mendoj që kishte me qenë mirë që duhet të iniciojmë ligje që e përcaktojnë cilësinë në fushën e arsimit. Bashkëpunimi me komisione evropiane parlamentare është bashkëpunimi me komisione parlamentare.
Kryetari Arian Gola tha se duhet intensifikuar bashkëpunimi me komisionet evropiane parlamentare. Ai propozoi që këto dy nisma të përfshihen shprehimisht në këto fushëveprimtari.
Vlora Dumoshi tha se nga Ministra e Kulturës janë disa ligje që duhet të vijnë, dhe ku duhet t’i ipet hapësirë trashëgimisë kulturore.
Ajo theksoi faktin se Qeveria ende nuk ka dorëzuar një plan të punës.
“Në Ministrin e Kulturës janë disa ligje që duhet të vijnë t’i japin hapësirë edhe trashëgimisë kulturore. Për një muaj nuk kemi program të punës dhe uroi që të kalojë sa më shpejt në mënyrë që të dihen sa më qartë pikat e diskutimit”, tha ajo.
Ndërsa, Memli Krasniqi theksoi se është një Komision që ka shumë rëndësi, por tha se çështja e fushëveprimtarisë është e rregulluar me Kushtetutë. Krasniqi tha se komisionet duhet të bashkëpunojë njëra me tjetrën.
“Puna jonë është e rregulluar prej Kushtetutës dhe i listojmë punët të vetëkuptueshme që duhet ti bëjmë dhe po i lëmë gjëra e rëndësishme anash. Komisionet duhet të bashkëpunojnë njëri me tjetrin”, tha Krasniqi.