Komisioni Evropian ka thënë se Rusia dhe Kina kanë kryer operacione ndikuese dhe fushata dezinformuese brenda BE-së dhe në nivel global.
Përderisa akuzat e këtilla kundër Rusisë janë përmendur në shumë raste më herët, kjo është hera e parë që organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian e ka përmendur publikisht Kinën si burim të dezinformimit, shkruan “The Guardian”.
Politikanët francezë u zemëruan kur një faqe e internetit e një ambasade kineze kishte pretenduar se punëtorët e kujdesit i kanë braktisur vendet e punës dhe i kanë lënë banorët e qendrave që të vdesin.
Një diplomat kinez, të cilit nuk i është publikuar emri, në mënyrë të pasaktë kishte pretenduar se 80 ligjvënës francezë kanë përdorur fyerje raciste kundër kryetarit të OBSh-së, Tedros Adhanom.
Vendet anëtare të BE-së janë duke bërë përpjekje që të vendosin si të merren me Kinën në disa fusha, përfshirë politikën e jashtme, sigurinë dhe ekonominë. Në një raport të vitit 2019, Komisioni Evropian e cilësoi Kinën si rivale sistematike.
Komisioni Evropian e ka kritikuar edhe presidentin amerikan, Donald Trump, për shkak të deklaratës së tij të dëmshme kur kishte kërkuar që njerëzit të përdorin zbardhues për ta trajtuar koronavirusin.