Komisioni i Garave i IPKO Superligës dhe Ligës së Parë të Kosovës në futboll në përbërje Ismet Ahmeti, Isuf Ajeti e Abdyl Bellopoja me rastin e rishqyrtimit të ankesës së KF “Trepça’89”, të kthyer nga Komisioni për Ankesa – Shkalla e dytë, lidhur me ndeshjen e javës së 32-të të IPKO Superligës ndërmjet Drita–Flamurtari, konformë nenit 60 të Propozicionit të Garave nxori këtë:
V E N D I M
Refuzohet ankesa e KF “Trepça ‘89” si e paafatshme dhe ndeshja e javës së 32-të e IPKo Superligës së Kosovës ndërmjet KF “Drita” – KF “Flamurtari”, regjistrohet me rezultatin e arritur në fushë 1-2 në favor të KF “Flamurtari”
ARSYETIM
Komisioni i Garave në seancën e vet të mbajtur më datë 28.05.2019 konstatoi se përmes një shkrese shumë konfuze – të paqartë nga Komisioni për Ankesa – Shkalla e dytë se vendimi i KG-së kthehet në ri-shqyrtim.
Për Komisionin e Garave kjo është vetëm një shkresë e jo vendim, sepse vendimi nga aspekti formal juridik duhet t’i përmbajë elementet esenciale për të qenë një vendim i vlefshëm. Në rastin konkret i mungon neni i kompetencës për shqyrtim dhe vendim-marrje nga Komisioni për ankesa – Shkalla e dytë, i mungon dispozitivi (Petitum-Rei) si dhe i mungon arsyetimi se në cilën bazë është bërë shkelja nga Komisioni i Garave dhe shkaqet që duhet t’i ndërmarrë me rastin e kthimit në rishqyrtim të ankesës.
Komisioni i Garave duke vepruar sipas kompetencave që i ka, ka shqyrtuar dhe shtjelluar tërë materialin – shkresat dhe konstatoi:
Se ankesa e KF “Trepça ‘89” është e paafatshme dhe nuk i përmbush kushtet e përcaktuara në nenin 71 paragrafi 2 të Rregullores së Garave.
Neni 71 paragrafi 2 i Rregullores së Garave shprehimisht thotë:
Ku xhirot zhvillohen të dielën dhe të mërkurën atëherë kompletimi i lëndës së ankesës dhe taksimi i saj duhet të bëhet brenda 24 orëve nga përfundimi i ndeshjes së zhvilluar. Nëse afati për ushtrimin e ankesës skadon në ditën e diele ose në ditën e festave shtetërore, afati për ushtrimin e ankesës vazhdon edhe ditën e parë të ardhshme të punës.
Në rastin konkret ndeshja është zhvilluar ditën e mërkurë më datë 15.05.2019, derisa ankesa është ushtruar më 16.05.2019, kurse taksimi-pagesa është bërë më 17.05.2019. Nga kjo rezulton se ankesa është e paafatshme sepse KF “Trepça ‘89” si palë ankimore ka pasur detyrim që pagesën ta bëjë me datë 16.05.2019 por të njëjtën nuk e ka paguar me kohe – është vonuare për një ditë.
Është rregull-normë standarde juridike aty ku humbet afati nuk të fitohet as një e drejtë dhe çdo veprim që e ndërmerr institucioni kompetent është i pavlefshëm , akt nul -0.
“Quod nulum est nulum producti efectum” – Çka do të thotë se çdo gjë që në zanafillë është nul produkti – efekti është nul -0.
Pasi që kemi të bëjmë me ankesë të paafatshme KG konform nenit 72 paragrafi 2 të Rregullores së Garave e refuzon ankesën e KF “Trepça ‘89” si të paafatshme.
KËSHILLË JURIDIKË: Pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afatin prej 3 (tri) ditëve, nga dita e pranimit të Vendimit, Organit të shkallës së dytë (Komisionit për ankesa, sipas procedurës së paraparë me Propozicione e Rregullore të FFK-së).